Këlcyra ka qenë ndalesa e radhës e turit të dëgjesave publike që po zhvillon në gjithë qarkun e Gjirokastrës, drejtuesi politik i këtij qarku, Bledi Çuçi. Gjatë takimit me banorët, z.Çuçi theksoi se në mandatin e dytë, PS do jetë në koalicion me qytetarët duke mbyllur fazën e koalicioneve që funksioninim për interesa partiake, e që për këto interesa mbanin peng reformat.
“Është ky mandat që na kanë dhënë shqiptarët, me 74 deputetë që të qeverisim vetëm dhe të fillojmë një fazë të re qeverisëse, jo me koalicione të cilat më së shumti ishin dhe funksionionin për interesa të ngushta partiake dhe ktheheshin në qëllime pengmarrje për të realizuar këto interesa, por në një koalicion me qytetarët”, u shpreh Çuçi.
Çuçi theksoi edhe një herë, se fakti që shqiptarët votuan që PS të qeverisë vetëm, nuk është privilegj, por mision për të realizuar ato premtime që nuk u përmbushën për shkak të koalicioneve politike.