Armando Cungu kërkon fitoren në Gjirokastër. Edhe pse kundërshtari nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi këtë sezon, trajneri shfaq bindjen se do të jetë pikërisht ekipi i tij që do e “thyejë” këtë ecuri. Ai e vlerëson ekipin bluzi për futbollin e bukur që luan, por mendon se kjo nuk do e pengojë ekipin e tij që të marrë rezultat pozitiv në stadiumin “Gjirokastra”.
“Ndeshja me Luftëtarin është e vështirë normalisht. Kemi të bëjmë me një ekip simpatik që lufton fort për topin e parë. Më duket se është ndër të vetmet skuadra, bashkë me Kukësin e Partizanin, që në shtëpinë e vet nuk pësojnë humbje. Unë shpresoj shumë që do ta thyejmë këtë ecuri. Të gjitha mundësitë i kemi. Besoj se do të jetë një ndeshje e hapur. Një 90-minutësh që i ka të tria rezultatet brenda dhe patjetër që do të shikojmë lojën tonë dhe të marrim një rezultat pozitiv”, është shprehur numri një i pankinës shkodrane.
Presioni
Sipas Cungut, presioni tashmë është në anën e gjirokastritëve. Barazimi me Laçin e ka lënë sërish këtë ekip në zonën e luftës për mbijetesë. Megjithatë, kjo nuk shikohet si një shqetësim apo avantazh për kuqeblutë që duhet të bëjnë më të mirën e mundshme.
“Sigurisht që barazimi i kundërshtarit me Laçin mund ta ketë vënë pak nën presion, por edhe mund t’i shërbejë në aspektin pozitiv. Ndoshta mund t’i karikojë më shumë, megjithatë pak rëndësi ka kjo. Ne do të futemi në fushën e lojës me idenë e qartë për të marrë maksimumin. E rëndësishme është që ne të jemi të qetë dhe të bëjmë lojën tonë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.
Situata
Vllaznia do ketë një grup të plotë këtë javë. Rikthimi i titullarëve i jep luksin e zgjedhjes stafit teknik. Nisur nga ajo që është parë, formacioni që pritet të startojë takimin do të përbëhet nga Agoviç në portë, ndërsa në mbrojtje do rreshtohen Gocaj, Bicaj, Vrapi e Pjeshka. Në fakt, ky i fundit është në balotazh me Markun në të majtë të mbrojtjes, por duket se Pjeshka ka më shumë kredite. Shtubina, Tafili, Krymi, Bardulla e Kalaja do të jenë në mesfushë, ndërsa Bakaj do të jetë sërish pika e referimit në sulm.
Bicaj në fushë, ka vetëm dy të verdhë
Vllaznia merr një superlajm para Luftëtarit. Ditmar Bicaj është gati për këtë ndeshje. Ai u ndëshkua me të verdhë ndaj Skënderbeut dhe stafi i kuqebluve duket se i kishte bërë keq llogaritë me kartonët. Ata mendonin se lojtari plotësoi numrin tre, megjithatë, pas verifikimeve të bëra në sistemin e FSHF-së, kanë mësuar se lezhjani nuk është i pezulluar.
Kujtojmë që të parin e ka marrë kundër Partizanit (pikërisht në ndeshjen e rikthyer pas pezullimit të kartonëve), ndërsa me korçarët mori vetëm të dytin. Gatishmëria e tij është një plus i madh për stafin teknik, pasi mund ta llogarisë atë si pjesë të formacionit. Këtë javë rikthehen të skualifikuarit Gocaj, Vrapi e Krymi dhe Pjeshka me Mulemon që janë rikuperuar nga dëmtimet.