Në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, të parat ku garohet edhe me një pjesë të listave të hapur, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza, ka dalë në mbështetje të kandidatit Toni Gogu, i cili garon për një mandat të dytë në qarkun Tiranë. Në një bisedë mes të dyve, Peza rendit arsyet përse duhet votuar Toni Gogu.
“E kam bërë zgjedhjen time dhe kjo është arsyeja pse ne bisedojmë bashkë. Ndershmërisht pa i hequr asnjë cilësi vlerave që ti përfaqëson, unë njoh edhe formimin profesional që ti ke. Kjo të bën ty shumë të përshtatshëm që të jesh një përfaqësues në legjislativ. Ke gjithashtu avantazhin për mua, që je pezak. Ti je deputeti im sepse je Toni Gogu”, shprehet Peza.
Në vijim të bisedës se si ka ndryshuar jeta parlamentare nga njëra legjislaturë në tjetrën, Dashamir Peza thotë se është e domosdoshme të kemi deputetë që bëhen zëri i komuniteteve që përfaqësojnë.
“Ne kemi nevojë për deputetë me personalitet. Kemi nevojë për njerëz që ndershmërisht thonë mendimin e tyre dhe kanë kurajon civile të bëhen zëri i komuniteteve që përfaqësojnë”, thotë Peza.
Toni Gogu garon në këto zgjedhje në listën e hapur të Partisë Socialiste për qarkun Tiranë.