Moti i keq me reshje të dendura dëbore dhe shiu ka përfshirë pothuajse të gjithë vendin. Në veri dhe veri-lindje prej orëve të para të mëngjesit të sotëm vijojnë reshjet e dendura të dëborës, në jug shi intensiv, ndërsa pritet dëborë. Të paktën 15 fshatra në njësitë Administrative Zejmen dhe Kolsh kanë mbetur pa energji elektrike. Si pasojë e intensitetit të reshjeve të dëborës probleme janë vërejtur edhe në Qarkun e Elbasanit. Policia e këtij qarku u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që në aksin rrugor Prrenjas -Qaf Thanë të përdorin zinxhirët.
Policia rrugore vazhdon monitorimin e qarkullimit të automjeteve duke ndihmuar dhe këshilluar drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirët. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin të gjithë lëvizjet e panevojshme dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e policisë. E ndërsa mësohet se të paktën 5 automjete kanë mbetur të bllokuar prej 3 orësh në Dibër si shkak i rënies së reshjeve të mëdha të dëborës. Kështu të bllokuar kanë mbetur 15 persona dhe nuk ka ardhur asnjë ndihmë nga Emergjencat Civile.