Partia Demokratike në Sarandë denoncon një investim që sipas saj do duhej tashmë të ishte vënën në funksion. Jolio Dine, kandidati për deputet i kësaj partie në Sarandë në zgjedhjet e fundit parlamentare, thotë përmes një deklarate se ujëmbledhësi i Janjarit në Konispol rezulton një dështim i vërtetë.
“Një nga veprat e shumëtrumbetuara të Qeverisë “Rama” për Bashkinë Konispol, ajo e ujëmbledhësit të Janjarit, po rezulton një dështim i plotë. Mijëra fermerë, pronarë të mbi 500 mijë pemëve rrezikojnë sot prodhimin për shkak të thatësirës dhe një skandali të madh qeveritar që ka të bëjë me mos vendosjen në funksion të një investimi prej 10 mln euro, i cili duhet të kishte perfunduar në 30 prill 2021, por që ende nuk ështe vendosur në punë. Këto (foto) janë pamjet sot të ujëmbledhësit të Janjarit, pra thatësirë e plotë. Prej dy muajsh ai është jashtë funksionit edhe pse për të janë paguar plot 10 mln euro për rehabilitimin e 60 km kanale duke u shfaqur për publikun, madje në ceremoni me pjesëmarrje Ministrash e deputetësh, si një investim që do të ndihmonte vaditjen e 4000 ha tokë në gjithë Bashkinë Konispol. Burimet bëjnë me dije se punimet e kryera në këtë vepër, janë totalisht jashtë standarteve duke bërë që proceset mos të funksionojnë dhe ujëmbledhësi mos të kryejë asnjë shërbim”, shprehet Dine.
Në vijim rë denoncimit të tij ai bën thirrje për hetim nga SPAK, për atë që ai e konsideron “shpërdorim të 10 milionë eurove”.
“SPAK sot ka një arsye më shumë për të nisur hetimet se si janë shpërdoruar 10 mln euro dhe për cfarë arsye kjo vepër madhore nuk po vihet në funksion duke i shkaktuar banorëve të Bashkisë Konispol dhjetra milion euro dëm për shkak të mosvaditjes së agrumeve, për një prodhim të parashikuar në 40 mijë ton, që janë baza e ekonomisë së kësaj zone”, shprehet Dine.