Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për zhvillimet e brendshme politike, për protestën e madhe të 16 shkurtit, për të cilën Shehu parashikon se do jetë masive, pasi qytetarët kanë qindra arsye për të kërkuar rrëzimin e qeverisë, dhe për të marrë në dorë fatet e tyre. Ai thotë, se kjo është një protestë popullore, skenari i së cilës do t’i lihet në dorë qytetarëve të revoltuar.
Intervista e plotë
Z.Shehu, cili është qëllimi i protestës së opozitës që pritet të ndodhë me 16 shkurt?
Kjo është një protestë popullore në vazhdën e asaj që populli shqiptar është në fakt në protestë prej kohësh kundër varfërisë. Është në një protestë prej kohësh kundër papunësisë, kundër arrogancës ndaj qytetarit, kundër mosrespektimit të drejtave të njeriut, kundër mosrespektimit të drejtave të pronës, kundër problemeve të mëdha që ka shërbimi shëndetësor, sistemi arsimor, infrastruktura e vendit etj. Pra, është në vazhdën e një protestë që në Shqipëri zien prej kohësh, pikërisht kundër kësaj qeverisje jo vetëm të paaftë, por arrogante, të korruptuar, të lidhur me krimin, që po shkatërron këtë vend, si dhe shpresën për të ardhmen e popullit. Një formë proteste është edhe eksodi masiv i njerëzve që po largohen nga Shqipëria, është një protestë kundër kësaj qeverisje. Unë mendoj, se të gjitha këto forma protestë do të konvergojnë me datën 16 shkurt, ditën e shtunë, në një vend, në një hapësirë të madhe, me një qëllim: për t’i thënë ndal këtyre fenomeneve arbitrarë dhe negative, për të shtyrë vendin drejt zhvillimeve pozitive të thella politike, nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve. Unë e shoh këtë protestë si një përmbledhje të protestave të përgjithshme, që ka Shqipëria, të koncentruar të shtunën në qendrën e Tiranës.
Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se drejtimi i protestës do t’i lihet në dorë të qytetarëve. Duke qenë se populli është shumë revoltuar ndaj qeverisë, ju parashikoni të jetë e dhunshme protesta e 16 shkurtit?
Është protestë popullore. Është dita e qytetarëve, është zëri i qytetarëve. “Vox popolis” që thonë latinët, është zëri i cili dëgjohet dhe që vendos për të ardhmen e vendit. Unë mendoj, se është një mundësi që qytetarët të marrin vetë në dorë fatet e tyre, për të bërë që nesër Shqipëria të përmirësohet dhe të shkojë atje ku i takon, në familjen europiane. Padyshim një pushtet i korruptuar që e ka çuar vendin në këtë gjendje ka frikë, dridhet përpara popullit të tij kur ai vendos të flasë. Dhe ai që dridhet, është ai lloj shteti i cili realisht është përgjegjës për këtë gjendje. Ashtu siç janë dridhur pushtete të tjera, si në protestat e mëdha të Bukureshtit, siç po dridhen pushtetet e mëdha të korruptuara dhe të lidhura me krimin, siç është ai në Venezuelë. Kështu që pushtete të tilla dridhen, kur qytetarët bëhen koshientë dhe detyrohen të marrin në dorë fatet e tyre, që të rregullojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Pra, për mua nuk është çudi që pushtete si te ne të dridhen para presionit të madh popullor, përpara koshiencës popullore, përpara një gjendje kaq të rëndë që po kalon Shqipëria. Është një protestë demokratike. Dhe demokraci më të mirë se sa aty ku dëgjohet zëri i popullit nuk ka. Kjo është koshienca popullore. Do të dëgjohet zëri i popullit, i cili është i fuqishëm, por dhe i drejtë e i mençur.
Policia e Shtetit paralajmëroi opozitën që të mos nxisë dhunë në protestë?
Unë mund të them, se pushteti është në krizë, është i frikësuar. Ai pushtet që është i lidhur me krimin padyshim që është i frikësuar dhe protestat e gjëra duhet të drejtojnë gishtin drejt kësaj situate, dhe të kërkojnë ndryshime të mëdha, që janë të nevojshme në Shqipëri.
Si mendoni ta krijoni “qeverinë tranzitore”?
Partia Demokratike ka vetëm një qëllim: që të vijë në qeverisje me votën e lirë të popullit. Por që kjo votë të jetë e lirë, ky regjim që ka shkelur votën, e ka transformuar atë, duhet të ndryshojë. Pra, duhen krijuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat do të vendosin për pushtetin e ardhshëm.









