Ngjarjet më të dhimbshme të shkaktuara nga tërmeti kanë të bëjnë kryesisht me hotelet. Në hotel “Miramare” u zunë brenda stafi që në atë orë ishte duke mbyllur punën. Mes viktimave janë një banakiere dhe një balerinë, trupat e të cilave janë nxjerrë të pajeta.
Nën gërmadhat e hotelit që shërbente dhe si restorant vijojnë kërkimet, pasi dyshohet se ka dhe persona të tjera në rrënoja.
“Pronari i restorantit ‘MiraMare’ është hedhur nga dritarja dhe u ka thënë punëtorëve dilni se po këputet pallati dhe thonë se kanë zënë banakierin mbi 40 vjeç, më duket se është nga Korça, madje edhe dy balerina kanë qenë aty, njëra u nxor e vdekur. Mendohet se tani janë edhe dy brenda, një vajzë doli e vdekur. Vajza që u nxor e vdekur thonë se ishte kameriere, banonte tek ‘Astiri’ në Tiranë, i prishën shtëpinë. Një banakier nga Fieri shpëtoi. Ky djali që shpëtoi ka qenë te dhoma 101. Hoteli rrinte hapur 24 orë”, deklaron një nga dëshmitarët.
Ndërsa një histori edhe më të dhimbshme kanë dy vëllezër nga Kosova, të cilët kishin rezervuar në hotel “Tropikal”. Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë.
Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i Komunës së Gjilanit patën fatin e keq e mbetën nën gërmadhat e hotelit. Familja Abazi për vite u përcoll nga histori tragjike. Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë, Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29- vjeçar, po merreshin një kohë të gjatë. Por e marta doli të jetë fatale për ta, pas tërmetit të fortë që shkatërroi hotelin ku po qëndronin. Për fatin e tyre nuk u dit asgjë për më shumë se 15 orë.
I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29 vjeç. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini, 32 vjeç.
“Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjesht nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllezërve tashmë të ndjerë, për gazetën “Express”.
Ata tregojnë se Shemsedini e Isai kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër, tjetri dy. Familjet e të ndjerëve jetonin në kushte të rënda sociale. Por kjo familje para shtatë viteve është përballur me një tragjedi tjetër. Djali i tyre ishte therur me thikë në një pishinë dhe nga plagët kishte ndërruar jetë. Tash në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë, i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë