Dinamo nuk e ka gjetur ende fitoren e parë për këtë vit kalendarik në Superiore, duke humbur edhe terren në klasifikim. Blutë do të kenë edhe 3 sfida të tjera për të mbyllur këtë fazë të tretë, e cila në fakt mund të konsiderohet një fazë “makthi” duke parë edhe statistikat e këtyre përballjeve.
Kalendari nuk premton lehtësi pasi në horizont janë edhe tre përballje të forta ndaj Egnatias, Vorës dhe Partizanit, ndeshje që mund të përcaktojnë fatin e sezonit. Një rival si Egnatia, natyrisht nuk është kundërshtari më komod i mundshëm në këtë moment, duke ditur edhe nevojën që kampionët kanë për pikë por për më tepër, faktin se luajnë në shtëpinë e tyre dhe humbja në Superkupë është ende e freskët.
Egnatia është një nga skuadrat që synon titullin kampion dhe nuk mund të lejojë që Vllaznia të shkëputet më shumë në krye, obejktiv ky i njëjtë me atë të Dinamos. Vora vjen menjëherë pas Egnatitas dhe është një skuadër kërkon të sigurojë mbijetesën. Nga ana tjetër, Partizanit i duhet fitorja për të siguruar një vend në “Final 4”, duke u kthyer në një rival direkt për Dinamon e Dajës. Të kuqtë po kalojnë një moment shumë të mirë në kampionat dhe fitorja në derbi ka shtuar motivimin te skuadra e Kërrnajës.
Veç këtyre 3 sfidave të kampionatit, Dinamo ka edhe një takim delikat në Kupën e Shqipërisë, që megjithatë mbetet më i lehtë se këto të tjerat. Blutë e kanë fituar sfidën e parë me rezultatin 2-0 kundër Tiranës dhe në ndeshjen e kthimit, i mjafton që të menaxhojë rezultatin. Në më pak se një muaj, Dinamo duhet të rikthehet te fitorja dhe të tregojë se është ende skuadra që do të luftojë në të dyja frontet, në të kundërt do të mbyllte një sezon të dështuar, ku investimet kanë qenë të shumta.








