Dinamo do të përballet këtë fundjavë me Vorën në kuadër të Superiores, ku do të synojë që të marrë fitoren e parë për fazën e tretë. Kundërshtari përballë nuk është aspak komod pasi shpesh herë ka treguar se di të befasojë e sidomos tani që ka një motivim më shumë pasi është hapur edhe stadiumi dhe tashmë Vora luan në shtëpi.
Në dy fazat e para, skuadra e Dajës ka ditur të marrë fitore por gjërat kanë ndryshuar dhe Dinamo nuk e ka formën që kishte megjithëse në skuadër ka kualitetin e njëjtë, pa shtuar këtu dy afrimet e janarit, Malomo dhe Mustafa të cilët kanë forcuar jo pak skuadrën në repartin e sulmit dhe atë të mesfushës edhe pse ende nuk e kanë shfaqur.
PËRGATITJET- Dinamo ka nisur përgatitjet për sfidën me Vorën, teksa pas humbjes me Egnatian në Rrogozhinë, trajneri Daja kishte menduar që të linte skuadrën pushim. Kështu, duke përfituar nga fakti se kishte më shumë ditë në dispozicion për të përgatitur takimin, ekipi ishte pushim ditën e shtunë dhe të diel, ku nga e hëna ka nisur përgatitjet për këtë takim. Mungesa e vetme për ndeshjen ndaj Vorës, është ajo e Mustafas i cili u ndëshkua me të verdhë në takimin e fundit ndaj Egnatias dhe aktualisht ka shkuar në kuotën e 4 kartonëve. Ky pushim i ka shërbyer jo pak skuadrës për të pushuar pas një kalendari të ngjeshur që ka pasur mes Kupës e kampionatit, ngjeshje e cila do të përsëritet edhe pas pak ditësh kur të luhen ndeshjet e kthimit.
GJENDJA E SKUADRËS- Nani ka qenë i vetmi që ka zhvilluar stërvitje të diferencuara por ditët e fundit është bashkuar me grupin dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Vorës në transfertë. Ndërkohë për këtë takim do të jetë i gatshëm edhe Eridon Qardaku që rikthehet në Vorë me petkun e ish-it për herë të parë, duke qenë se ndeshja e parë mes dy skuadrave, u zhvillua në stadiumin “Arena e Demave”. Qardaku ka shlyer dënimin që kishte për shkak të kartonëve dhe është gati për të dhënë kontributin e tij në këtë takim, ku synohet rikthimi te rezultatet pozitive dhe te fitorja e parë në fazën e tretë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






