Dinamo e mbylli këtë fundjavë me një hum bje kundër Elbasanit në transfertë, duke u mundur me rezultatin e pastër 2-0.
Pas sfidës, kryeqytetasit reaguan zyrtarisht kundër gjykimit dhe diçka e tillë ishte hera e parë këtë sezon publikisht nga klubi, ku nuk munguan akuzat për gjykim të njëanshëm dhe kryesisht, pretendimet lidheshin me një karton të kuq të pa dhënë kundrejt lojtarëve të Elbasanit. Nga pamjet filmike, në fakt duket për një ndërhyrje shumë të ashpër por as Juxhin Xhaja dhe as dhoma e sistemit VAR nuk akorduan karton të kuq. Pas sfidës, trajneri Ilir Daja foli me tone të ashpra për gjykimin e sfidës duke u shprehur se nuk mund të fliste as para skuadrës kur e dinte se në sfidë, kishte një arbitër që nuk i mbronte dhe nuk jepte drejtësi.
“Nuk do e kisha përmendur, nuk po përmend penalltinë në favor apo jo, por nuk kam çfarë t’u them lojtarëve në momentin kur është ajo lloj ndërhyrje. T’i them përgjigjuni në të njëjtën mënyrë, e di që mbetemi me pak veta. Nuk i mbroj dot lojtarë t mi, kur nuk i mbron një arbitër në fushë, që mbajnë familjet me atë punë, nuk i mbron as një arbitër i ulur shumë mirë atje në karrigen e VAR-it. Çfarë t’u them unë lojtarëve aty”, u shpreh trajneri i Dinamos pas ndeshjes ndaj Elbasanit.
RASTET E SHKUARA– Por, kjo nuk është hera e parë që te Dinamo kanë pretendime për gjykimin pasi këtë sezon, është rast i përsëritur duke nisur që nga javët e para. Në sfidën ndaj Teutës, Daja i kërkonte Jorgjit që të detyronte skuadrat që të luanin më shumë futboll duke qenë se po vonohej shumë dhe nuk kishte lojë aktive. Ndërkohë, sërish nota proteste kishte për Klodian Prengën, në ndeshjen e dytë ndaj Teutës i cili ndëshkoi me të kuq Maliqin, por jo Përgjonin ku sipas stafit të Dinamos, ishte karton i kuq ndërhyrja e mbrojtësit të Teutës, pasi ishte lojtari i fundit në hyrje të zonës. Në fillim të kampionatit, Dinamo kishte kërkuar edhe në rrugë zyrtare pranë FSHF-së që të kishte më shumë vëmendje në ndeshjet e tyre, duke treguar pakënaqësi për vendimet e gjyqtarëve, por duket se rrugët zyrtare nuk mjaftuan dhe Dinamo u detyrua të reagonte edhe publikisht nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ashtu edhe në intervistë nga Daja. Pak javë më parë në Shkodër, Dinamo u përball me Vllazninë, ku këta të fundit fituan me rezultatin 1-0, ndërkohë që Dianmo e shënoi golin e barzimit por iu anulua për pozicion të parregullt. Nga pamjet filmike, duket se si goli i Vllaznisë, ashtu edhe goli i Dinamos ishin të ngjashëm por gjyqtari një e anuloi e tjetrin jo.
MARTINI- Në lidhje me ankesat e Dinamos, disa javë më parë reagonte edhe Edi Martini i cili kërkoi që nga trajnerët e Dinamos e Egnatias, të mos kishte ankesa për gjykimin pasi sipas tij, gjyqtarët po bënin punën e tyre në mënyrën më të mirë edhe pse vetëm pak ditë më vonë, u ankua sërish për gjykimin. Tashmë, mbetet të shihet se si Dinamo do të jetë javët në vazhdim si në rezultate, ashtu edhe me gjyqtarët duke qenë se kampionati ka hyrë në një fazë të nxehtë dhe çdo ndeshje ka rëndësi të madhe, sidomos me Dinamon që është shkëputur nga të tjerat. Ndeshjen e radhës, Dinamo e luan me Bylisin në shtëpi ku do të tentojë me çdo kusht që të marrë 3 pikë pas një momenti të vështirë.
REAGIMI I KLUBIT- Për ndeshjen ndaj Elbasanit, reagoi vetë klubi i Dinamos pas ndeshjes. “Klubi FC Dinamo City dënon gjykimin e ndeshjes së sotme, me kryesor Juxhin Xhajën. Pamjet ku skuadra jonë dëmtohet janë shumë të qarta. Rasti më flagrant është ndërhyrja horror ndaj lojtarit tonë Ismaili në fundin e pjesës së parë. Xhaja me stemën e FIFA-s dhe çuditërisht edhe VAR-i mbyllin sytë. Ndjejmë detyrimin të reagojmë publikisht, duke qenë se gabimet flagrante të gjykimit kundër klubit tonë, janë të përsëritura. Çdokush mund të gjykojë vetë nga këto pamje. Për t’u përmendur është dhe rasti i golit të parë të kundërshtarit, ku ka një faull evident ndaj Nanit. FC Dinamo City kërkon vetëm drejtësi”, shkruan klubi kryeqytetas.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









