Nga Mero Baze
Greqia ka disa vese anti-perëndimore, si asnjë shtet tjetër perëndimor, me të cilat ne shqiptarët tanimë jemi mësuar dhe nuk na bën shumë përshtypje. Dhe këto vese demonstrohen kryesisht në kufijtë e Greqisë me Shqipërinë.
Dje u bë problem i madh pse Greqia ndaloi gazetarët shqiptarë që shkonin të ndiqnin vizitën e Edi Ramës. Por kjo nuk është hera e parë. Në kufirin grek ndoshta është i vetmi kufi evropian që nëse i thua se je gazetar të pyesin “a ke kamerë me vete”, “çfarë do bësh në Greqi” “Ku do flesh” “Ku do shkosh” etj. Ke më shumë leverdi t’i thuash jam bari, sa sa gazetar.
Edi Rama përmendi rastin e Marin Memës, si gazetar i ndaluar të shkojë në Greqi”, por në fakt ka një listë të gjerë gazetarësh dhe figruash politike dhe zyrtare, që bezdisen në kufijtë e Greqisë, apo kthehen pas pa ndonjë shpjegim, për shkak të detyrës së tyre.
Unë e kam vuajtur atë për gati 20 vite dhe po të mos i ankohesha ambasadorit grek në Tiranë në vitin 2014, i cili ishte një diplomat mendje hapur, ndoshta do të vazhdonte i njëjti zakon. Pak a shumë ndodhte kështu: Polici shikon pasaportën, fut të dhënat në kompjuter, bëhet gati të vulosë, kur befas i shfaqet një shënim në ekran. Mbyll sportelin, çohet në këmbë, bën një telefon, pastaj të thotë dil nga radha prit pak. Nëse kërkon sqarime, koha e pritjes shkon 45 minuta, nëse sillesh urtë shkon 25 deri 30 minuta.
Më ka ndodhur e njëjta skenë dhe kur shoqëroja kryeministrin apo kryetarin e parlamentit të vendit duke qenë gazetar i akredituar zyrtarisht në delegacion dhe kur shoqëroja babain në karrocë që ishte për operacion. Atë e lejonin ta kalonte kufirin mua jo. Dukej që nuk qe punë polici, por punë sistemi.
Herën e fundit që më ndodhi në vitin 2014, ambasadori i Greqisë në Tiranë udhëtonte bashkë me mua dhe kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta Ndodhi përsëri edhe pse pasaportat i çoi për t’i vulosur, Ambasadori i Greqisë në Tiranë. Pas kësaj nuk u përsërit më dhe unë shpresoj se ka ndikuar pozitivisht pafuqia e tij për të më ndihmuar mua para policit grek.
Nga gjithë shtetet evropiane, Greqia është i vetmi vend që shpall persona “non grata” të kombësisë greke në Shqipëri, të cilët i konsideron “tradhtarë” të çështjes kombëtare greke, siç është rasti i Jorgo Goros në Himarë. Gjithë shtetet evropiane shpallin persona “non grata” për parime evropiane, për përfshirje në korrupsion madhor, apo lidhje me krimin e organizuar, vetëm, Greqia të shpall “non grata” nëse nuk je “patriot grek”.
Mendoni një moment sikur këtë kriterin grek ta zbatonte Shqipëria, sa e gjatë do qe lista e shqiptarëve që mund të shpallnim “non grata” për bashkëpunim me Greqinë.
Ekziston një racizëm i instaluar në sjelljet e policisë kufitare greke me shqiptarët.Vetëm në kufijtë e Greqisë me Shqipërinë ekziston shprehja “u prish kompjuteri” ndërsa radha e makinave është 1 km dhe t’i shikon doganierë dhe policë cinikë të kënaqur që shkojnë pijnë kafe dhe tallen me shqiptarët që presin në radhë. Në asnjë vend të Afrikës së egër nuk ekziston më shprehja “ u prish kompjuteri”, pasi sistemet kufitare nuk janë thjeshtë çështje të një kompjuteri, por janë sisteme të certifikuara me standardet më të larta. Në Shqipëri që nuk ka gjë që nuk prishet, për shembull ky sistem nuk është prishur kurrë.
Ende në Greqi nuk lejohet të hyjnë qytetarë me origjinë nga Çamëria që kanë të shkruar në pasaporta emrin e fshatit të tyre. Pas shumë përpjekjesh, pala shqiptare pranoi të shkruaj në pasaportën shqiptare emrin e greqizuar të Filatit apo Paramithisë, por atyre njësoj u nxihet jeta në kufij, edhe pse kanë ngelur një pakicë pleqsh që ndoshta nuk kanë më as fuqi të shkojnë deri në ish shtëpitë e tyre.
Madje dhe teknikisht kur në Greqi shkon me veturë, ekziston një procedurë që nuk e ke askund në botë. Të vënë një vulë në pasaportë për veturën, që nuk ja shpjegon dot asnjë dogane në botë dhe nëse ndodh të shkosh disa herë rresht në Greqi, nuk ke më vend për vula police se ta kanë mbushur vulat e doganës greke për veturën që fut.
Edhe për tursitët perëndimorë që duan të hyjnë në Shqipëri nga Greqia ka rregulla speciale. Ata për shembull nuk mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë me një veturë të marrë me qira në Greqi. Nga Italia apo Austria e Franca mund të vijnë, nga Greqia jo. Janë komplikuar aq shumë procedurat e shoqërive te sigurimit dhe shtetit për këtë praktikë, sa askush nuk e zgjidh dot prej vitesh dhe shumë turiste perëndimor mbeten të dëshpëruar në kufijtë mes Greqisë e Shqipërisë se nuk e kuptojnë dot pse nuk kalojnë dot në një shtet tjetër.
Të gjithë këto “vese të Greqiasë në fakt janë një regjim special që ka lidhje me Shqipërinë. Është e pashpjegueshme pse u duhet ky regjim special “persekutues”.
Shqipëria jo vetëm që nuk përben asnjë rrezik për Greqinë, por shqiptarët janë faktor i rëndësishëm i ekonomisë greke brenda në Greqi. Madje Greqia duhet të ketë strategji si të mbijetoj ekonomia e sja përmes faktorit shqiptar, të cilët nuk duhen vetëm për të mbledhur ullinjtë.
Nga ana tjetër, faktori grek në Shqipëri është de faktorizuar jo nga Tirana zyrtare por nga Athina zyrtare. Sot zonat e pakicës greke në Shqipëri janë të zbrazta, dhe pa shpresë vitalizimi përveç njerëzve të moshuar që duan të kthehen të vdesin në shtëpitë e tyre. Të rinjtë dhe gjeneratat e reja që lindin në Greqi ndjehen grek dhe as u shkon më mendja për fshatrat e tyre mbetur në Shqipëri.
Politika që Greqia ka ndjekur ndaj pakicës greke në Shqipëri duke i dhënë monopolin e saj dy tre personave, e ka bërë dhe më dëshpëruese këtë situatë. Dhe të mendosh se gjysmën e problemeve, gazetarët apo politikanët shqiptarë i kanë në kufi nga këta persona që rekomandojnë në qeverinë greke për “shqiptarë të rrezikshëm” të cilët duhet të torturohen në kufijtë me Greqinë apo të shpallen “non grata”.
Por përtej kësaj problematike në kufijtë, sapo kalon kufirin t’i hyn në një shtet evropian, ku askush nuk ngjan më me doganierët apo policet e pikave doganorë që sillen si policia kufitare e Enver Hoxhës para 1990.
Greqia mbetet fqinji më i mirë i Shqipërisë, më i dobishëm për tregun e punës, për shkëmbime tregtare apo për biznese të ndërsjellta. Grekët dhe shqiptarët janë ndoshta njerëzit që merren vesh më shpejt dhe më mirë me njëri tjetrin.
Dhe gjithë ky “regjimi special” në kufi, nuk ka mundur ta pengojë këtë.
Shqiptarët tanimë janë mësuar që në kufirin me Greqinë, do kenë kokëçarje dhe e marrin të mirëqenë këtë. Nuk u ndodh kurrë kjo në kufrin me Italinë, po ashtu një vend fqinjë perëndimor, apo kur shkojnë direkt me avion në Austri Gjermani Francë a diku tjetër në BE.
U ndodh vetëm në Greqi, një vend që shpeshherë ngjan si ballkanas i keq në BE, dhe jo evropian i mirë në Ballkan./TemA