Forumi ndërkombëtar “E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri” nisi ditën e dytë të punimeve me panelin e parë tematik “Roli i qeverive në formësimin e agjendave të së ardhmes”.
Pjesëmarrës në këtë panel i cili moderohej nga Alessandra Priante, drejtoreshë e Organizatës Botërore të Turizmit për Evropën, ishin ministra e zyrtarë të lartë të sektorit të turizmit nga vendet e Ballkanit e Evropës.
Në fjalën e saj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se Shqipëria paraqet një rast të veçantë të kombinimit të sektorit të turizmit dhe mjedisit në një portofol me qëllimin për t’i parë si plotësues të njëri tjetrit.
“Ka një perceptim publik që politikbërësit dhe ekspertët kanë krijuar se turizmi dëmton mjedisin dhe mjedisi duhet të mbrohet nga turizmi, por sa më shumë i konsiderojmë armiqësore, aq më shumë e thellojmë problemin. Ndërkohë, nëse të dyja i konsiderojmë plotësuese, turizmin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm, e cila është dhe tema që na mbledh, aq më shumë mbrohet mjedisi duke u kthyer në mjet edukimi dhe bashkëjetesë, siç natyra na e ka dhënë. Mjedisi nuk mund të jetë një kopësht zoologjik i izoluar, sepse njerëzit janë pjesë e ekosistemit mjedisor. Si një lloj ekuilibiri, Shqipëria i ka vënë ne portofol: për të zhvilluar turizmin ne mënyrë të qëndureshme dhe mbrojtur mjedisin”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili u shpreh se ‘’Detyra jonë është të sjellim këtu inovacion, investime, arsim, edukim dhe të gjithë dijen dhe njohuritë tona. Roli ynë ndonjëherë është të të rekomandojmë se çfarë nuk duhet të bësh në disa vende. Pas këtyre dy ditëve kemi parë që Shqipëria po bën gjëra interesante dhe ka sfida në vend, prandaj kemi ardhur, për të promovuar dhe të falenderoj zj.Mirela për lidershipin”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili mbajti fjalën e hapjes së këtij paneli shprehu entuziazmin e tij që Tirana u kthye në epiqendrën e kësaj ngjarjeje me pjesmarrës vende të Ballkanit dhe Evropës. “Tirana ka vërtet fqinj shumë të mirë”, u shpreh ai.
Në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar të Turizmit të Qëndrueshëm në Tiranë do të diskutohet edhe për perspektivat e investimeve strategjike dhe roli i “EU dhe donatorëve në zhvillimin e strategjive të turizmit”.







