Nga Mirela Kumbaro
Ditë e trishtuar që sot duhet të përcjellim në banesën e fundit një mik, një labovit pasionant, një mësues të nderuar, i dashuruar marrëzisht pas artit, historisë, librave dhe sidomos pas Labovës së Kryqit⛪️.
🖤Stefan Miha ose siç e thërrinsim të gjithë Xha Stefani, ishte mikpritësi i parë i vizitorëve kureshtarë për Kishën e Shën Marisë së Kryqit, që më shpjegonte çdo gjë për historinë e Kishës dhe të Kryqit, për fshatin, për njerëzit me sytë plot ndriçim e rini të përjetshme kur më tregonte madje edhe për gjyshin tim, nxënës i të cilit kishte qenë.
Xha Stefani ishte udhërrëfyesi pa pagesë, dhe shpirti labovit që të gjithë gazetarët e dëshironin se më të mirë se ai për të treguar thesaret e Labovës e Libohovës vështirë të gjenin.
Do t’i mungosh shumë Labovës së Kryqit Profesor! Do të na mungojë ai burim energjie që rrallë e kam hasur në jetë! Por do të të kujtojmë duke qeshur e vallëzuar, do ta ndjejmë shpirtin tënd kudo nën kupolën e Shën Marisë, dhe në sokakët e Labovës së Kryqit të cilës i kushtove jetën si mësonjës, si historian dhe si mikpritës i të gjithë vizitorëve. Ndërsa mua😢 do të më mungojë bekimi yt si “sorkadhe” që më ka shoqëruar në çdo sfidë, për të bërë më shumë për Labovën, për Libohovën. I paharruar kujtimi yt xha Stefan!








