Përtej fasadës së lulëzuar që arrinte të formësonte makineria e fuqishme e propagandës, praktikisht shteti komunist i shqiptarëve i ngjante një burgu të stërmadh.
Pothuaj të gjithë banorët e Shqipërisë e kishin të ndaluar të dilnin jashtë këtij burgu, pasi përtej, në shtetet e tjera, do të kuptonin dallimin, si nata me ditën, dhe kjo llogaritej infektuese dhe e rrezikshme për vijimësinë e pushtetit të komunistëve.
Për këtë arsye, pra me qëllim që shqiptarët të mos iknin, kufijtë shtetërorë ishin të rrethuar me tela me gjemba dhe ruheshin me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë.
Këtij qëllimi i vinte në ndihmë edhe Kodi Penal, që konsideronte arratisjen jashtë vendit si tradhti ndaj atdheut, pra si krimin më të rëndë që mund të kryente një shtetas i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Për rrjedhojë ushtarakët që ruanin kufijtë e kishin lejen në xhep që shkelësit e kufijve, domethënë tradhtarët e Atdheut, ti asgjësonin.
Shumica e incidenteve të përgjakshme në kufijtë e Shqipërisë komuniste do të regjistroheshin gjatë vitit 1990, në prag të shpërbërjes së vetë sistemit politik.
Gjatë pjesës së parë të vitit 1990 incidentet në kufi u shtuan për shkakun se shqiptarët nisën të tentonin largimin për një jetë më të mirë të shtyrë nga lajmet që pasqyronin shpërbërjen e sistemit të komunizmit lindor. Ndërsa në pjesën e dytë të të njëjtit vit, ato u nxitën edhe nga ndryshimi që krerët komunistë të Tiranës bënë në Kodin Penal, më 8 maj 1990, duke mos e lidhur më akuzën për kalimin e kufijve me tradhtinë ndaj atdheut.
Porse, ky ndryshim në Kodin Penal, që do të shtynte më shumë shqiptarë drejt arratisjeve, do të kishte edhe efektin e një gracke. Kjo, për shkakun se, kundërveprimi i forcave kufitare do të shfaqej i pandryshuar dhe kriminal. Për pasojë, shumica e përpjekjeve për një jetë më të mirë, do të kishin një fund të përgjakur.
Avni Rumi, ish-banor i Ersekës, është një dëshmi e gjallë e mashtrimit të madh të vitit 1990. Më 22 gusht të vitit 1990, rreth 3 muaj pas ndryshimit të ligjit, në shoqërinë e katër të rinjve të tjerë, miq të tij, ai provoi lirinë duke tentuar arratisjen në drejtim të Greqisë, por, në vend të saj, pa, me sytë e tij, ferrin.
Avniu do të ishte i vetmi i mbijetuar i breshërive kositëse të njësitit kufitar të Postës së Rehovës.
Katër miqtë e tij, që të gjithë në moshë rë re, do të jepnin shpirt në majën e malit të Gramozit.
Në fakt, megjithë ndryshimin që i bënë ligjit, vrasjet në kufi do të vazhdonin dhe kjo do të ndodhte në dijeni të plotë dhe me nxitjen e kastës drejtuese komuniste në Tiranë.
Krerët e kupolës komuniste shqiptare do të kujtoheshin tu dërgonin postave të kufirit urdhrin për të mos qëlluar shkelësit vetëm pas datës 18 korrik 1990, ose 2 muaj e 10 ditë pas zbutjes së ligjit me gjasë të shtyrë më tepër nga ndonjë note proteste zyrtare të shtetit grek për vrasje minoritarësh në kufijtë e Gjirokastrës dhe Sarandës.
Por qëndrimet, nisur nga vetë Ramiz Alia, ndryshonin me shpejtësi. Duket komunistët pendoheshin dhe riktheheshin te ndëshkimet sa herë që ndonjë ngjarje u tregonte fundin e pushtetit të tyre.
Kështu, vetëm 5 ditë më vonë, më 23 korrik 1990, në një mbledhje të sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, vetë Ramiz Alia mbron veprimet vrastare të kufitarëve me anë të deklarimit: “Kufitari i thotë “ndal” shkelësit të kufirit dhe atë që nuk ndalet, e qëllon. A mund ta bëjmë fajtor pse qëlloi?! Jo, ai bëri detyrën.”
Duke shpërfaqur të njëjtën qëndrim, edhe 3 javë më pas, më 17 gusht 1990, në një takim me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ramiz Alia këmbëngul në linjën e fortë duke deklaruar: “Asnjë nga ligjet e shtetit, asnjë nga vendimet e Partisë, nuk i ka hequr atributet, as Sigurimit të Shtetit, as policisë, as kufirit, përkundrazi, ja ka shtuar. Vendimet e Partisë kërkojnë që atributet që i kishin deri tani këto organe, t’i kenë,…”
Në fakt rregullorja e ndalimit të njerëzve që tentonin të kalonin kufirin shtetëror kishte mbetur po ajo e vjetra që thoshte tekstualisht:
“Njësiti u bën thirrje “duart lart”, kur nuk binden, u bën një qitje paralajmëruese (në ajër), në rast se vazhdojnë tentimin, hapet zjarr neutralizues, në pamundësi neutralizimi dhe zjarr asgjësues”./ ABC