Prej sot Ndërmarrja e Ujësjellësit Gjirokastër do të drejtohet nga Gentian Llogo. Sigurisht që shkarkimi i një drejtori dhe ardhja e një tjetri nuk është ndonjë ngjarje e madhe, aq më tepër në Shqipëri kur ne e dimë mirë se si bëhen lëvizje të tilla. Edhe që Gentian Llogo është njeriu i besuar i Flamur Golemit e bashkëpunëtor i afërt i tij, kjo nuk do shumë mend dhe as është kriminale. Po njësoj siç ishin të besuar të Zamira Ramit e Vangjel Tavos dy paraardhësit e Llogos; Bashkim Tola e Dhimo Kristidhi. Ka një detaj tjetër që ilustron më së miri dy modele; modelin e Zamira Ramit dhe modelin e Flamur Golemit.
Ky është lajmi i vërtetë dhe që ia vlen të ndalemi. Kujtoni pak tre vite më parë terrorin që bëri Zamira Rami në zyrat e Ndërmarrjes së Ujësjellësit teksa kishte shkuar aty për të shkarkuar Dasho Qelin dhe për të emëruar Bashkim Tolën. Shfaqja e saj e shëmtuar u regjistrua nga kamerat e televizionit të marrë me qira prej LSI-së dhe më pas u transmetua si shenjë force e lidershipi në ekran e mediat sociale. Kush e ka harruar, le të shikojë videon më poshtë.
Ndërkohë ndryshe nga Zamira Rami, sot në zyrat e Ndërmarrjes së Ujësjellësit Gjirokastër pamë diçka tjetër. Pamë një normalitet i cili na mungon. Flamur Golemi pa zhurmë e pa kamera, pa u krekosur nëpër korridore dhe pa iu hakërryer nëpunësve të institucionit, siç bënte Zamira Rami tre vjet më parë, prezantoi drejtorin e ri, si dhe vlerësoi drejtorin në ikje.
Natyrisht që këtu ka një meritë të madhe dhe vetë Dhimo Kristidhi, i cili qëndroi aty dhe u largua nga zyra duke shtrënguar duart me Flamur Golemin dhe Gentian Llogon. Kjo është për t’u vlerësuar. Realisht ne kemi nevojë për shembuj të tillë në zyrat e administratës publike. Ne sot pamë dy modele që ndryshojnë si nata me ditën. Terrori i Zamira Ramit nga njëra anë dhe qetësia olimpike e Flamur Golemit nga ana tjetër.
Dëshmitari okular i këtyre dy modeleve është Bashkim Tola. Ai e pa me sytë e vetë arrogancën dhe terrorin e Zamira Ramit tre vite më parë. Pa edhe sot qasjen ndryshe të kryebashkiakut të ri. Ky është lajmi i vërtetë në shkarkimin e Dhimo Kristidhit dhe emërimin e Gentian Llogos. Të tjerat pastaj janë retorikë dhe histori administrimi pushteti nga ata që janë fitues. Gentian Llogo merr drejtimin e një institucioni të rëndësishëm në Bashkinë Gjirokastër.
Deri para pak kohësh kur ishte Administrator i Universitetit ‘Eqrem Çabej’, nëse e pyesje se përse gjërat shkojnë keq në atë institucion, një prej argumenteve të tij ishte rezistenca që i bënte ndryshimit kasta e pedagogëve, sidomos ata të korruptuarit. Sot e tutje ai s’do të ketë më një rezistencë të tillë. Përkundrazi ka për të qenë vetë Vali dhe vetë Kadi në atë institucion.
Thënë këto, nuk mund të tolerohet më në vazhdim që Gjirokastra dhe fshatrat përreth të vuajnë nga mungesa e ujit për shkak të keqmenaxhimit. Janë të gjitha mundësitë që situata të ndryshojë. Dështimi i mundshëm i Gentian Llogos në atë institucion i faturohet edhe Flamur Golemit. Janë në provë!
©argjiroja.net