I zhdukur prej kohësh nga radhët e Burnley, më në fund trajneri Skot Parker thyen heshtjen duke zbuluar se Broja ka pësuar një dëmtim, stafit mjekësor i duhej të ndërhynte për të rikthyer “bomberin” kuqezi në kushte optimale. Në fakt, pak kohë më parë, trajneri Parker i pyetur në lidhje me mungesën e Brojës shtoi se ishte një zgjedhje teknike, por tani përpara ndeshjes kundër Chelsea-t në Premier League, trajneri i Burnley dha një tjetër version, duke folur për një problem fizik të sulmuesit kuqezi:
“Nuk do të jetë në dispozicion për këtë takim. Për të qenë të drejtë, po kalon një problem prej disa javësh dhe duhet të ndërhynim. Nuk do të mungojë gjatë, shpresojmë për pak javë, por e sigurt është se nuk do të jetë për ndeshjen kundër Chelsea-t këtë fundjavë”, u shpreh shkurtimisht trajneri i Burnley, Skot Parker.
Broja nuk ka qenë në dispozicion të Burnley që nga sfida kundër Crystal Palace më 11 shkurt. Nuk ishte i pranishëm as në FA Cup duke bërë dyshimet në lidhje me gjendjen e tij të shtoheshin ndjeshëm. Kjo deklaratë e trajnerit të Burnley ndez alarmin edhe në radhët e Shqipërisë, në një kohë kur Broja është kthyer në titullar absolut në sytë e Sylvinho-s, me tekniku kuqezi që zhvilloi të gjithë kualifikueset e Botërorit me Brojën nga minuta e parë.
Me ndeshjet e fazës “play-off” në program për t’u zhvilluar në mars, trajneri Sylvinho dhe stafi i tij do të ndjekin me shumë interes gjendjen e sulmuesit kuqezi, me shpresën që të lë pas këtë dëmtim dhe të rikthehet në kushte optimale në këtë takim me historinë për kombin kuqezi, ku për herë të parë Shqipëria ka shanse reale për t’u kualifikuar në Botëror.







