Favoriti tashmë është në lëvizje. Dukati prezantoi ekipin e tij zyrtar në Madona di Kampilio në Itali, me dyshen Mark Markez dhe Peko Banjaja. Është një vit i veçantë për markën nga Borgo Panigale, e cila feston 100-vjetorin e saj. Po aq i veçantë mund të jetë edhe për Markez, që shfaqet si njeriu për t’u mposhtur në ndjekje të titullit të dhjetë botëror, të tetin në Moto GP. Pas një videoje hyrëse, Klaudio Domenicali, CEO i Dukatit, mbajti fjalën e mirëseardhjes duke theksuar pikat kyçe.
“Ky është fillimi i një udhëtimi të ri. Për ne është pothuajse traditë të nisim sezonin në Madona di Kampilio. Do të shpjegojmë pse besojmë se do të jetë një tjetër vit i rëndësishëm për Dukatin. Sot, në vitin 2026, Dukati është një kompani unike në botë, me teknologji, dizajn dhe trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e dy rrotave. Ky është viti i njëqindtë i historisë sonë. 100 vjet janë shumë, por i kemi mbushur me modele të mëdha, edhe në Moto GP. Për këtë arsye kemi zgjedhur një ngjyrë të re: të kuqen e 100 vjetorit, si në vitet ’60”, u shpreh Domenikali, i cili vlerësoi gjithashtu hyrjen e Audit në Formula 1:
“Jemi i vetmi grup që garon në dy kompeticionet më të mëdha. Kjo na lejon të transferojmë teknologjinë në modelet e rrugës. Aty nuk mund të premtojmë podiume, por do të jetë një udhëtim drejt suksesit”.
MOTIVE “HISTORIKE”
Peko Banjaja dhe Mark Markez prezantuan motorët, natyrisht të kuq, por me detaje të bardha që i japin një prekje retro. “Është motori më i mirë që kam drejtuar që kur erdha në vitin 2021. Kombinimi i të kuqes me të bardhën është i shkëlqyer”, tha Banjaja. Ndërkohë, Markez u shpreh: “Ndjehem më mirë, kam punuar shumë gjatë dimrit për të qenë gati për Tajlandën. Tashmë po pilotoj motorë të ndryshëm dhe gjithçka po shkon mirë. Një motor i shpejtë është gjithmonë një motor i bukur. Do ta shohim në para-sezon. Është një mënyrë e bukur për të festuar 100 vjetorin”.
Banjaja foli edhe për rivalitetin me shokun e skuadrës: “Munda të reflektoj dhe do të përpiqem të jem pranë tij. Dua të jem i përgatitur që nga fillimi i sezonit. Vitin e kaluar fitova shumë gara, por jo titullin. Më pas hasa vështirësi dhe ishte e vështirë të gjeja shkaqet, sidomos ndjesinë me motorin. Por mendoj se qetësia e këtij dimri na ka ndihmuar të mësojmë”. Më tej Markez shtoi: “Është si një ‘déjà vu’, por ky vit është ndryshe. Ndihem më i qetë. Vitin e kaluar kisha ‘flutura në stomak’, tani mezi pres nisjen e sezonit. Gjithmonë përpiqem të minimizoj rreziqet fizike, ndaj nuk do të skijoj. Pasioni është çelësi. Kam shumë pasion për garat, është karburanti im më i madh. Viti 2025 më dha edhe më shumë motivim për të punuar gjatë dimrit, pas një rikuperimi të gjatë, me dëshirën e vetme për të shijuar sërish fitoret”, përfundoi kampioni në fuqi i botës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








