Më 7 shkurt në Durrës do të zhvillohen zgjedhjet për Presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku siç dihet tani janë në garë Armando Duka dhe Bashkim Fino. I pari e drejton FSHF-në prej 16 vjetësh, ndërsa Bashkim Fino kërkon largimin nga politika drejt futbollit.
Në zgjedhje kanë të drejtën e votës presidentët e klube, kur ato janë të privatizuara, dhe kryetarët e bashkive kur ekipet janë në pronësi të bashkive. Për Gjirokastrën votën në emër të Luftëtarit e ka në dorë presidenti i klubit, Grigor Tavo. Deri më tani s’ka asnjë qëndrim publik pro ose kundër një kandidati të caktuar nga ana e Tavos.
Mbase nuk do të ketë shprehje të mbështetjes publike dhe se gjithçka do t’i lihet votimit të fshehtë. Por kujtojmë që Tavo ka qenë shpesh kritik me Federatën Shqiptare të Futbollit sa i përket ndeshjeve të Luftëtarit, kur është penalizuar nga arbitrat. Kulmi arriti në nëntor të vitit të shkuar, kur Tavo kërcënoi Dukën me tërheqje të ekipit nga kampionati nëse do të vazhdonte maskarada me arbitrat. Ndërkohë mbrëmë Bashkim Fino u tregua luajal me Tavon, duke e komplimentuar për punën që ka bërë me Luftëtarin, si dhe u shpreh se është tifoz i ekipit gjirokastrit.
Një arsye tjetër përse Tavo mund të votonte Bashkim Finon është fakti që ky i fundit si gjirokastrit dhe ish kryetar bashkie në vitet ’90 ka normalisht një sensibilitet më të madh ndaj futbollit në qytetin e tij të lindjes. Por asgjë nuk dihet me siguri. Rruga drejt 7 shkurtit është e gjatë dhe natyrisht e mbushur me lloj-lloj pazaresh e interesa okulte që mund të përmbysin çdo gjë. Mbetet të presim!
© ArgjiroLajm.net