Nëna lehonë Diana Bahçja është rikthyer pranë foshnjes së saj të porsalindur, pas arrestimit nga policia. Sot Diana ka treguar për mediat se në qelitë e burgut vetëm ka qarë dhe ishte e ndarë nga gratë e tjera.
“Për mua ishte shumë e vështirë. Nuk mund ta përballoja dot. Me zor kam ndenjur atje, duke qarë ditë e natë. Aty kam ndenjur vetëm, nuk jam bashkuar me gratë e tjera”, tha Diana.
Bahçja edhe pse u kishte thënë autoriteteve që sapo kishte lindur, sipas saj askush nuk ka marrë parasysh këtë fakt dhe kanë treguar moskokëçarje
“Infermieret u kujdesën për mua. Kur shkova te Policia e Shkodrës thjesht më thanë që je dënuar 1 muaj e 10 ditë. Ata të Tiranës më thanë 1 muaj e 20 ditë. Erdhën të Tiranës, më morën dhe më çuan. U tregova se sapo kisha lindur. Nuk donin t’ia dinin. Nuk kemi lidhje me atë punë. Kam ndenjur në Shkodër 3 orë, 4. Policia e Tiranës nuk kanë folë fare. Nuk më kanë dhënë përgjigje. Thjesht heshtën”, tha ajo.
Ajo shprehet se nuk ka qenë në dijeni as për gjobën dhe as për dënimin.
“Thjesht ka ardhur ai zotëria këtu tek shtëpia dhe më ka marrë. I falenderoj shumë, shumë pa masë ata që më mbështetën”, tha ajo.
Rasti i Diana Bahçjas ka marrë vëmendjen e publikut për shkak të paradoksit nga drejtësia shqiptare. Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur. Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe u la në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur.