Rusia e ka nisur më së miri këtë Kupë Bote që e organizon vetë, me një fitore 5-0 kundër Arabisë Saudite. Pavarësisht kundërshtarit frika për të bërë figurë të keqe ishe e madhe në radhët e organizatorëve. Por pas “breshërisë” së golave të shënuar në portën e arabëve të gjithëve në Rusi duket se iu është çelur fytyra dhe kanë filluar të mbështesin sërish kombëtaren. Dhe dashuria ka rilindur aq shumë sa që disa deputetë të partisë Rusia e Bashkuar, që mbështet Presidentin Vladimir Putin, duan të kalojnë një ligj në të cilin do të sanksionohet se është e ndaluar të tallesh me skuadrën kombëtare dhe trajnerin e saj. Nëse e bën rrezikon një gjobë prej 10 000 rublash, ose 135 Euro.
Në një intervistë për Associated Press, Vitaly Milonov, një prej deputetëve që mbështesin nismën, ka shkuar edhe më tej duke thënë se kombëtarja duhet të konsiderohet si ushtria dhe si trupi diplomatik i vendit. E si e tillë duhet të mbrohet nga kritikat dhe humori.
Milonov ka marrë shkas për të bërë këtë propozim nga disa këngë dhe barcoleta që qarkullojnë në Rusi dhe që kanë shoqëruar Rusinë përgjatë rrugës së saj drejt debutimit në Botëror. Në fakt besimi ndaj trajnerit dhe lojtarëve të tij nuk është se ishte në nivelet më të larta, por pas paraqitjes së bërë në ndeshjen e parë politika kërkon t’i shërbejë si mbrojtje.
“Përgjatë Kupës së Botës ekipi kombëtar lufton për nderin e atdheut. E kështu që është një detyrim dhe përgjegjësi për shtetin që të mbrojë përfaqësuesit e tij nga ofendimet”, thotë Milonov. “Nuk kemi të bëjmë këtu vetëm me futboll, por me identitetin kombëtar. Dhe projektligji do ta mbrojë skuadrën nga komentet e papërshtatshme, të pakëndshme dhe të rreme”.