19 janari, njihet si ‘E hëna blu’, dita më melankolike e vitit. Termi u shpik nga lektori i Universitetit të Cardiffit, Cliff Arnall, i cili në vitin 2005 krijoi një ekuacion për të përcaktuar “ditën më depresive”, duke marrë parasysh faktorë si moti, borxhet, distanca nga Krishtlindjet, dështimet e objektivave të Vitit të Ri dhe nivelet e motivimit.
Megjithatë, studimet e reja e kanë vënë në pikëpyetje këtë koncept, duke treguar se mungesat në punë dhe ulja e produktivitetit ndodhin shpesh edhe në ditët e tjera të janarit. Sipas të dhënave të BrightHR, sot pritet një rritje prej 7.6% e raportimeve për sëmundje në punë, një rritje prej 1.4% krahasuar me të Hënën Blu të vitit të kaluar. Alan Price, Drejtor Ekzekutiv i BrightHR, tha se fenomeni i “dëshpërimit të janarit” mund të jetë shumë real, me punonjës që mbërrijnë vonë dhe raportojnë sëmundje, duke ndikuar ndjeshëm në ritmin e punës.
Si të përballojmë e Hënën Blu?
Ekspertët e shëndetit rekomandojnë disa hapa për të luftuar melankolinë:
Aktivitet fizik i rregullt dhe konsum i frutave, perimeve dhe vitaminës D. Zvogëlimi i konsumit të alkoolit për rritjen e energjisë dhe përmirësimin e gjumit. Ndërveprim me miq dhe kolegë për të rikthyer motivimin dhe humorin pozitiv. Nisja e projekteve të reja, hobi të rinj ose aventurash të vogla për të ndryshuar rutinën. Leona Burton, themeluese e Rrjetit Ndërkombëtar të Nënave në Biznes, sugjeron që kjo ditë të përdoret si një “kujtesë për rëndësinë e mënyrës së të menduarit” dhe se vendosja e qëllimeve të qarta dhe ndarja e detyrave në hapa të menaxhueshëm ndihmon punonjësit të rifitojnë kontrollin dhe një qëndrim pozitiv.
Ndërsa e Hëna Blu mund të jetë një koncept më shumë simbolik se shkencor, ajo ofron një mundësi për reflektim dhe përmirësim të mirëqenies mendore dhe motivimit, si në punë ashtu edhe në jetën personale.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









