Kanë kaluar disa javë që nga momenti kur Ediola Braha mori mandatin e lënë nga Vangjel Tavo, por deri më tani ajo s’ka bërë asnjë deklaratë publike për të shpjeguar vendimin. Nuk ka folur as në Kuvend. Është e paqartë gjithashtu edhe nëse ajo është larguar apo jo nga LSI-ja, duke qenë se theu vendimin e partisë. Zyrtarisht nga LSI s’ka një vendim për të.
Ndërkohë sot në mesditë Ediola Braha është parë të dalë nga zyrat e LSI në Gjirokastër. Burime të Argjirolajm.net thonë gjithashtu se sot në Gjirokastër ishte i pranishëm edhe ish-deputeti Vangjel Tavo. Nuk dihet nëse ka patur apo jo një takim me Ediola Brahën, aq më tepër në zyrat e LSI.
Kujtojmë se një takim mes tyre ndodhi në Tiranë pak pasi Ediola Braha kishte marrë mandatin. Nga ana tjetër publikisht Vangjel Tavo nuk e ka miratuar vendimin e Ediola Brahës. Sipas tij mandati është i partisë, jo i tij personal dhe rrjedhimisht Ediola Braha nuk duhet ta pranonte.
Çfarë ka qenë takimi i sotëm? Rikthim i Ediola Brahës në zyrat e LSI thjesht për nostalgji? Rikthim normal në zyrat e partisë që e bëri deputete? Takim ‘sekret’ për t’i ikur syrit të njerëzve? Pikëpyetjet vazhdojnë dhe ndoshta do të shtohen derisa vetë Ediola Braha të sqarojë pozicionin e saj në raport me opozitën e vjetër, ‘opozitën e re’ dhe qeverinë. Deri më tani ajo thjesht ka zënë vend në ulëset e Kuvendit duke zgjedhur heshtjen dhe jo përballjen.
©argjiroja.net









