Elbasani pritet të zbresë në fushë fundjavën e ardhshme ndaj Dinamos me disa alternativa më shumë në dispozicion, në një moment delikat të sezonit ku çdo pikë merr vlerë të shumëfishtë.
Verdheblutë synojnë të konfirmojnë formën e mirë dhe të vazhdojnë serinë pozitive, ndërsa rikthimet e rëndësishme i japin skuadrës më shumë siguri dhe thellësi në formacion. Një tjetër element në favor të verdhebluve është gjendja e mirë psikologjike. Skuadra vjen nga rezultate pozitive dhe atmosfera në grup është mjaft e mirë. Objektivi i Elbasanit është i qartë: të mos ndalet. Verdheblutë duan të ruajnë ritmin, të shfrytëzojnë momentin pozitiv dhe të marrin maksimumin nga kjo përballje.
“ARMËT SHTESË” – Lajmi më inkurajues për kampin verdheblu është rikuperimi i dy futbollistëve kyç, Ibrahima Diallo dhe Kristi Qose. Të dy kanë qenë mungesa të ndjeshme në javët e fundit, duke ndikuar jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në balancën e skuadrës në repartet përkatëse. Diallo pritet të sjellë forcë dhe stabilitet në fazën ofensive, ndërsa Qose ofron dinamizëm dhe eksperiencë në menaxhimin e ritmit të lojës. Edhe pse nuk janë ende në formën e tyre maksimale, fakti që po stërviten me grupin dhe janë drejt rikthimit të plotë konsiderohet një plus i madh për sfidën ndaj Dinamos.
PIKËPYETJE PËR ODEJINKËN – Ndërkohë, një tjetër element interesant mbetet gjendja e afrimit të ri, Malik Adejinka. Futbollisti është ende në proces përgatitor dhe nuk ka arritur ende kulmin e formës fizike, për më tepër që sapo ka ardhur në Elbasan. Stafi teknik, i drejtuar nga Gvozdenoviç, po e ndjek nga afër gjendjen e tij dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të aktivizohet për disa minuta, nëse situata e ndeshjes e kërkon. Prania e tij në stol do të ishte një alternativë shtesë për repartin ofensiv, sidomos në momentet kur skuadra ka nevojë për freski dhe energji.
RËNDËSIA E PËRBALLJES – Ndeshja ndaj Dinamos nuk është thjesht një sfidë e radhës. Ajo përfaqëson një test të vërtetë për ambiciet e Elbasanit në këtë fazë të kampionatit. Ruajtja e ritmit dhe vazhdimësia e rezultateve pozitive janë thelbësore për të qëndruar në garë dhe për të konsoliduar pozitat në renditje. Për më tepër, një fitore në këtë përballje direkte do të kishte ndikim të dyfishtë: do të rriste diferencën me një rival të drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht do të forconte besimin brenda grupit. Me “armët shtesë” që po i bashkohen skuadrës dhe me moralin në nivele të larta, pritshmëritë janë rritur ndjeshëm. Tani mbetet që gjithçka të përkthehet në fushë, aty ku Elbasani do të kërkojë të tregojë pjekuri, karakter dhe cilësi për të marrë një rezultat që mund të ketë peshë të madhe në vazhdimësinë e sezonit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









