Një 61-vjeçar në Sarandë është proceduar penalisht pasi nuk ju bind urdhrit të punonjësve të Policisë Kufitare për kontrollin e dokumentacionit të mjetit të tij lundrues. Gjithashtu ai u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, si dhe ju bllokua mjeti lundrues që posedonte, për 30 ditë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë në vendin e quajtur “Kanali i Çukës”, kanë ndaluar për kontroll dokumentacioni një mjet lundrues tip gomone, pronari i të cilit nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe ka tentuar të largohet. Pas ndalimit të drejtuesit dhe shoqërimit të tij, bashkë me mjetin lundrues, në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, në bazë të ligjit nr.127 të vitit 2020, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. M., 61 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Florida, u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, si dhe iu bllokua mjeti lundrues për 30 ditë” njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. M., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.








