Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, u bë kryefjalë e mediave por këtë herë jo për golat dhe formën e tij në fushë. Në rrjetet sociale qarkulluan pamje nga dasma e motrës së tij, ku ai shihej duke hedhur para. Megjithatë, një pjesë e opinionit publik reagoi me kritika, duke e cilësuar gjestin si të tepruar dhe të papërshtatshëm për një figurë publike.
Për të shmangur keqinterpretimet, Uzuni vendosi të reagonte me një mesazh të qartë në Instagram, ku theksoi se gjithçka ishte thjesht një shpërthim gëzimi në një ditë të shënuar për familjen e tij.
Futbollisti nënvizoi se që prej fillimit të karrierës, familja ka qenë motivimi kryesor, ndërsa sot ndihet i lumtur që mund t’i sigurojë një të ardhme të qëndrueshme atyre që e kanë mbështetur.
Mesazhi i plotë i Myrto Uzunit:
Videoja e hedhjes së lekëve ishte një moment gëzimi për motrën time. E di që gjithmonë ka shumë keqkuptime, por unë jam ai që kam qenë. Sot kam arritur t’ia siguroj familjes të ardhmen, faleminderit Zotit!
Nuk i shpenzova lekët nëpër diskoteka duke hapur shisha. Do të ketë gjithmonë njerëz që gjejnë arsye për të folur. Edhe po të mos kisha hedhur, dikush përsëri do të kishte komentuar. Pra, çfarëdo që të bësh, nuk i kënaq dot të gjithë.
Unë vetëm bëra atë që ndjeva dhe nuk ka asgjë për t’u keqkuptuar. Faleminderit atyre që e kuptojnë dhe respektojnë gëzimin e familjes!
Gëzime paçi në familjet tuaja!
Me respekt, familja Uzuni.”
![]()









