Nëse rëndom në sezonet e fundit ishim mësuar që një ekip i ngjitur në elitë “llogaritej” direkt i rënë, këtë vit situata ndryshoi. Luftëtari është shembulli konkret. Kur janë luajtur 33 javë, ata renditen të 4-ët dhe kanë shpresa realisht të mëdha për të qenë në zonën “Euro”. Kur kanë mbetur edhe 3 javë, duhet thënë që ekipi i drejtuar nga Milinkoviç ka në “dorë” të ardhmen e të rrezikuarve.
Kujtojmë që gjirokastritëve u ka rezervuar kalendari ndeshje me Teutën dhe Tiranën. Që të dyja janë në “ujëra të turbullta” dhe me një humbje do rrezikonin shumë herë më shumë. Nëse ndodh e kundërta, pra durrsakët dhe bardheblutë marrin pikët e plota me bluzinjtë, secila do të ishte një hap larg shpëtimit. Duke bërë këto kalkulime, “fati” i të rrezikuarave vendoset pikërisht nga Luftëtari.
SITUATA –
Luftëtari i Mlladen Milinkoviç ka vijuar edhe dje përgatitjet për Teutën. Barazimi dramatik në “Loro Boriçi” me Vllazninë ka lënë shije të hidhur në Gjirokastër dhe sidomos gjykimi, ndërsa hapur reklamuan ankesat e tyre. Por, përtej të gjithave, pika e marrë është konsideruar si një rezultat pozitiv, pasi mbeten në vendin e 4-t dhe janë një hap para kundërshtarit direkt për një vend në Kupat e Europës.
Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi, synimi është që të mbeten në këto pozita dhe në fund të shpresojnë që Skënderbeu të fitojë Kupën e Shqipërisë, pasi kjo është forma e vetme për të realizuar ëndrrën europiane.
Fitorja mbetet opsioni i vetëm. Me mungesën e kapitenit Oriad Beqiri dhe Behar Ramadanin, i cili dje ka kryer stërvitje i veçuar (por nuk rrezikon), stafi teknik i ka ditët e mjaftueshme për të përgatitur këtë javë. Europa për gjirokastritët kalon në këto 270 minuta, ndërsa llogaritë i bëjnë pikërisht me skuadrën shkodrane.