Qytetarët i kanë konsideruar shpesh si abuzive çmimet gjatë sezonit turistik. Zëvëndësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, ka deklaruar në Ora News se njerëzit kanë mundësi të zgjedhin vendin me çmimin që ju përshtatet. Sipas saj gjithçka ka të bëjë me zgjedhjen e individëve.
Njerëzit çojnë shpesh te JOQ (media online) fatura, për tu ankuar rreth çmimeve të shtrenjta. Vazhdon të jetë një mit legjendar, apo vazhdon të jetë problem?
Ornela Çuçi: Ti Ronaldo, unë edhe Feridja jemi të lirë të shkojmë, ose mos shkojmë në një restorant. Nuk na thotë njeri, që ti duhet të shkosh me patjetër aty, ku zotëria në fjalë abuzon me faturën dhe me çmimin. Është një sektor i sapolindur, është një sektor që tani ka hedhur bazat e vërteta. Secili prej bizneseve dhe individëve që i drejtojnë këto biznese, do të duhet të mendojnë për nesër. Por ti je i lirë që të shkosh aty ku fatura të shkon 250 euro nata, siç je i lirë të shkosh dhe aty ku fatura të shkon 15 euro nata. Dhe Shqipëria i ofron të gjitha këto.Pra mos të futemi te legjendat urbane, që ka fatura jashtë parametrave. Edhe unë do doja që për çdo problemin tim të hap dritaren, t’i drejtohem qeverisë dhe ta shaj. Do doja shumë ta bëja këtë gjë, gjatë gjithë kohës. Por jo gjithçka varet nga shteti. Qytetarët duhet patjetër ta kuptojnë këtë. Fatmirësisht Shqipëria ofron shumëllojshmëri çmimesh.









