Deputeti socialist Flamur Golemi, ka folur sot në Kuvend për disa investime që janë kryer vitet e fundit në qarkun Gjirokastër apo janë ende në proces. Ndër të tjera ai ka bërë edhe ironi me kolegun e opozitës, Tritan Shehu, lidhur me deklaratat e këtij të fundit se investimet e Ramës janë thjesht projekte 3D.
“Ka disa ditë që ka nisur puna për ndërtimin e Rrugës Kardhiq-Delvinë, një projekt ky i madh infrastrukturor dhe strategjik për jugun e vendit. Siç thotë Kryeministri, rruga e lënë rrugëve nga paraardhësit tanë, nuk mund të vazhdonte më të ishte një projekt i harruar. Kantieri tashmë është hapur dhe punimet vijojnë për të mos u ndalur deri në përfundimin e plotë të këtij aksi të rëndësishëm jo vetëm për Sarandën dhe Gjirokastrën, por për të gjithë jugun”, tha Golemi.
Sipas tij ky aks krijon një perspektivë të rë për gjithë zonën rurale mes Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës.
“Nuk di të them me saktësi nëse Gjirokastra ka qenë e ‘përkëdhelura’ e qeverisë, kur vjen puna tek investimet, por ju garantoj se kurrë më parë s’ka patur kaq shumë vëmendje ndaj këtij qarku sesa këto pesë vitet e fundit. Falë vendosmërisë dhe vizionit për ta kthyer qytetin e gurtë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në një pol të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit në jug të vendit, u bë një punë fantastike me Fondin Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit për restaurimin e Pazarit Historik të Gjirokastrës. Shifrat e vizitorëve përgjatë këtyre muajve të vitit 2018 janë impresionuese dhe ku e ku më të larta sesa pesë vjet më parë”, tha Golemi
Në fund deputeti i Gjirokastrës shprehu keqardhje për Tritan Shehun, si dhe i bëri thirrje opozitës të rikthehet në Kuvend.
“Hera herës s’e fsheh dot keqardhjen për kolegun e opozitës në Gjirokastër, i cili çdo investimi të qeverisë e konsideron thjesht si “projekt 3D”, madje edhe atëhere kur investimi është përfunduar. Natyrisht që s’jam duke thënë se s’ka më nevojë për investime në Gjirokastër apo në mbarë vendin. Realisht është bërë shumë punë në këto 5 vjet, por akoma më tepër mbetet për t’u bërë. E përfundoj këtu fjalën time, me thirrjen për opozitën që t’i rikthehet Kuvendit dhe të heqë dorë nga kinematografia e dështuar alla Babale”, u shpreh Golemi.