Në Gjirokastër janë të bindur se Mladen Milinkoviç është ende trajneri i Luftëtarit. Këtë e ka konfirmuar dje në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” drejtori sportiv i klubit bluzi, Gentian Nora. Ai foli edhe për merkaton, duke treguar se janë gati disa afrime, por do zbulohen në vijim.
Gjërat në klubin tonë janë të qarta. Natyrisht, me problematikat e vogla që mund të shoqërojnë çdo ekip, por nëse nuk do të shkonte diçka, atëherë nuk do të mendonte njeri për pushimet. Brenda kësaj jave, pasi të përfundojnë të gjithë pushimet e merituara do të bëhet mbledhja e parë.
Çfarë pritet nga kjo mbledhje?
Do të jetë tepër e rëndësishme, pasi do të bëhet planifikimi për buxhetin dhe përcaktimi i strategjisë për sezonin 2017-2018. Do të vendoset edhe për datën se kur do të nisë skuadra stërvitjen, por gjithashtu për fazën përgatitore që do të bëjë skuadra.
Ju mendoni se nuk jeni vonë me përgatitjet?
Mendojmë se nuk jemi as vonë dhe as shpejt.
Po flitet shumë për trajnerin. Kush do ta drejtojë Luftëtarin?
Luftëtari e ka trajnerin. Në këtë moment që po flasim, trajner është Mladen Milinkoviç. Nëse ai do të ishte larguar do ta kishim bërë publike, nuk kishte asnjë arsye pse ta fshihnim.
Nuk ka asnjë dyshim për Milinkoviç?
Ju thashë, nëse do të kishte diçka do ta kishim zyrtarizuar.
A mund të na konfirmoni se kush është larguar nga Luftëtari?
Zyrtarisht nga Luftëtari është larguar vetëm Usama Mutumane. Pra, janë të njëjtët aktorë në skuadër. Nuk e di si funksionon në klubet e tjera, por Luftëtarin e drejton trajneri dhe vendos ai.