Milan bën “djallin” përballë Asllanit me shokë, triumfon me përmbysje duke “rrëmbyer” kreun e Serie A, në bashkëpronësi me Napolin, në kuotën e 31 pikëve. Me Allegrin në tribunë, Milan vuajti jashtëzakonisht shumë në këtë transfertë ku brenda 14 minutash e gjetën vetën në dizavantazh të dyfishtë.
Në minutën e 10-të, Tomori preku topin me dorë në zonë, pa hezitim gjyqtari i takimit akordoi penallti. Këtë herë nuk goditi Asllani, por Vlasic, me mesfushorin kroat që u tregua i saktë. Torino nuk u mjaftua me kaq, por përfitoi nga një përgjumje e “djallit” në mbrojtje, aty ku Zapata me një goditje të saktë brenda në zonë dyfishoi shifrat. Për të rikthyer Milan në lojë mendoi Raboit, me mesfushorin francez që realizoi një super gol në minutën e 24-te, ku me një predhë të vërtetë nga distanca stampoi topin në trekëndësh.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 66-të, Allegri hodhi në fushë edhe Pulisic. Pas vetëm një minutë në fushë, në topin e parë që i erdhi në këmbë, “kapiten Amerika” u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 2-2. Pulisic u shndërrua në hero ku në minutën e 77-të përmbysi rezultatin në 2-3 duke kompletuar “dopietën” e tij personale. Milan mbrojti deri në fund këtë fitore të madhe që i mban në lojë në garën për titullin në Serie A, ndërsa Torino vijon rënien e lirë në vendin e 16-të në kuotën e 14 pikëve:
“Kura Pulisic”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Asi Pulisic. Përmbyset Torino, Milan në krye me Napolin”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.








