Në letër, Polonia nuk është një rival komod, këtë e ka vërtetuar e kaluara, por historia ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Pa diskutim që Lewandowski me shokë zbresin në Varshavë, në shtëpinë e tyre, me stofin e një ekipi favorit, kjo edhe për shkak të traditës, por kuqezinjtë besojnë, fundja e kanë të freskët ndjesinë se si fitohet kundër Polonisë.
Dy ekipet përfaqësuese janë përballur 15 herë ndërmjet tyre, me bilancin që anon dukshëm nga ana e polakëve me 10 fitore. Vetëm 2 në dy raste kemi arritur të triumfojnë, ndërsa 3 takime janë mbyllur në barazim. Në 15 përballje, Shqipëria ka arritur të shënojë 10 gola, por ka pësuar 20.
Siç ndodh shpesh në ndeshje të tillë, në këtë diskutim favoritësh, është përfshirë edhe OPTA. Në bazë të të dhënave të përfshira, grupi i lojtarëve në dispozicion, vlera e tyre në treg, dhe faktorë të tjerë, super kompjuteri i OPTA-s ka analizuar këtë përballje kokë më kokë ku pas 1 mijë simulimeve ka dalë në një përfundim:

Polonia shihet favorite absolute në këtë përballje me 56,6% shanse për të fituar, ndërsa Shqipëria ka 20,9% shanse për të fituar. Pavarësisht këtyre statistikave, historia e futbollit, aq më tepër në kohët e sotme ka vërtetuar se asgjë nuk është e pamundur, aq më tepër në një ndeshje teke ku diferencat mes dy ekipeve nuk janë aq të mëdha. Të gjithë në radhët e ekipit përfaqësues besojnë se mund ta kalojnë këtë pengesë.









