Kandidati i PBDNJ-së për kryetar bashkie në Himarë, Fredi Beleri, i është kundërpërgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili është shprehur nga qyteti i Fierit se Beleri është një person i dënuar me vendim gjykate për masakrën e Peshkëpisë.
Në një reagim, Beleri ka theksuar se pavarësisht sulmit nga Balla asgjë nuk e ndalon nga gara elektorale më 14 maj.
Sipas tij, Balla po tenton që t’i njollosë emrin duke tentuar gjithashtu që të manipulojnë opinion publik me shpifje.
Beleri nënvizon se Balla është mjaftueshëm i informuar se ndaj tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar çështjen penale për shkak se: “nuk provohet në asnjë mënyrë lidhja e tij me ngjarjen në fjalë”.
“Pas deklaratave të pavërteta të bëra ndaj meje nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dua të sqaroj opinionin publik se asnjë shpifje nuk do të më ndalojë nga gara elektorale e 14 majit, ditë kur himariotët do t’i japin fund qeverisjes 12-vjeçare të PS-së në Bashkinë e Himarës.
Para pak ditësh, nga qyteti i Fierit, Taulant Balla tha se unë jam “një nga personat e dënuar me vendim gjykate për masakrën e Peshkëpisë”.
Kjo deklaratë e Ballës, e cila ndonëse në kuadër të sulmit të tij të zakonshëm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Sali Berisha, tenton që të njollosë emrin tim duke tentuar gjithashtu që të manipulojnë opinionin publik me shpifje.
Deklaroj se këto shpifje ndaj meje, nuk janë gjë tjetër, veçse një përsëritje në vazhdën e shpifjeve dhe gënjeshtrave të bëra prej vitesh ndaj personit tim, duke u përpjekur të më përfshijnë me një ngjarje me të cilën unë nuk kam asnjë lidhje.
Mendoj se z.Balla është mjaftueshëm i informuar se ndaj meje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar çështjen penale për shkak se: “nuk provohet në asnjë mënyrë lidhja ime me ngjarjen në fjalë”. Çështja është pushuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Kjo deklaratë e z. Balla tregon në fakt panikun që e ka zënë Partinë Socialiste nga humbja e pritshme dhe e thellë në zgjedhjet lokale në Himarë.
Z. Balla do të marrë përgjigjen e merituar për këtë shpifje të artikuluar prej tij, pikësëpari në rrugë ligjore dhe pastaj edhe në datën 14 maj nga gjithë komuniteti himariot!
Ndërkohë që drejtësia në Shqipëri më shpalli mua të pafajshëm, pasi nuk gjeti asnjë provë që të tregonte se unë isha i përfshirë në atë ngjarje, ndryshe ka vepruar me Taulant Ballën. Të gjithë shqiptarët e dinë mirë se z.Balla është dënuar nga Gjykata për shpifje.
Një person i cili rezulton me vendim gjykate se është një shpifës dhe gënjeshtar, nuk e ka për asgjë që të hedhë baltë mbi figurën time.
Kam vendosur që menjëherë t’i drejtohem Gjykatës në mënyrë që shpifësi të vuajë pasojat e ligjit përsëri.
Gjej rastin që nëpërmjet këtij komunikimi publik gjithashtu të dërgoj një mesazh për të gjithë ata, që tani, apo në të ardhmen do përpiqen ta kthejnë procesin zgjedhor për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Himarës në një luftë balte, shpifjeje dhe përçarjeje me qëllim justifikimin e dështimit të qeverisjes socialiste në Bashkinë e Himarës.
Dua të theksoj se përballë qeverisjes së kalbur dhe dështimeve të kryebashkiakut 12-vjeçar në largim, alternativa jonë fituese e pastër dhe e ndershme gjithmonë në shërbim të komunitetit himariot nuk do të përbaltet nga shpifje të këtij lloji.
Më 14 maj 2023, qytetarët e Himarës do të gjykojnë projektin dhe ditët e mandatit dymbëdhjetëvjeçar të kryebashkiakut aktual. Ata do t’i japin një përgjigje me votë të lirë për të gjitha dështimet e socialistëve që prej 12 vitesh nuk kanë bërë asgjë për Himarën“, është shprehur Beleri.