Në kulmin e sezonit, pikërisht atëherë kur Man.City është rikthyer në lojë për titullin në Angli, Arsenal pëson një “frenim” të fortë. “Topçinjtë” u ndalën në transfertë përballë Brentford, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1. Për këtë “X” feston Pep Guardiola, me “qytetarët” që e shohin veten 4 pikë larg kreut pas javës së 26-të.
Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në minutën e 61-të Noni Madueke, me kokë, dërgoi topin në rrjetë, duke i dhuruar avantazhin Arsenalit. Festa e “topçinjve” nuk zgjati shumë, pasi 10 minuta më vonë Lewis-Potter, me një planzhon të bukur me kokë, barazoi shifrat në 1-1. Të dy ekipet, mbi të gjitha Arsenali, tentuan deri në fund të gjenin golin e fitores, por pa sukses, me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.
Pavarësisht këtij hapi fals, Mikel Arteta nuk e bëri dramë situatën: “Kjo është një fushë shumë e vështirë, por ne e dinim këtë. Është shumë e vështirë të dominosh një rival të tillë për 90 minuta. Gara për titull? Gjithçka mund të ndodhë. Duhet të mësohemi të lundrojmë në situata të tilla. Ne duhet të bëjmë punën tonë. E dimë që është e vështirë, por duhet të jemi në maksimumin tonë në çdo ndeshje. Duhet edhe pak fat për të sjellë në shtëpi 3 pikë”, u shpreh Arteta.








