Të gjithë shtetasit shqiptarë që janë kthyer nga Italia, Greqia apo vendet e prekura, dhe nuk janë karantinuar, dalin në rrugë dhe i kap Policia dhe Ushtria, do të marrin 5 mijë euro gjobë dhe nuk do të hyjnë më kurrë në Itali. Lajmi u dha nga kryeministri Edi Rama, në një lidhje direkte nga faqja e tij në Facebook, pak minuta pasi në Durrës u shënua viktima e parë nga koronavirusi.
“Qetësisht zbatoni këshillat e autoriteteve shëndetësore. Sa më të disiplinuar të jemi sot, aq më pak telashe do të kemi nesër. S’kemi marrë armët të çajmë rrethimin, të kufizojmë kontaktet tona. Ata që janë kthyer 14 ditët e fundit nga Italia, Greqia apo zonat e tjera të prekura të vetë-karantinohen. Sot do të dalë në rrugë një formacion i Policisë dhe Ushtrisë. Do të ndalohen dhe verifikohen nëse në makinë, ka të ardhur nga Italia, Greqia, në 14 ditët e fundit, që iu ndalohet të dalin jashtë. Nga nesër, kush kapet, do të paguajë 5 mijë euro gjobë dhe do t’i ndalohet që të iki më në Itali.”-tha Rama.
Kryeministri gjithashtu kishte edhe një justifikim për të gjithë ata që do të bezdisen nga kontrollet. “Do të mbyllen edhe pikat e internetit që nga sot. E di që kush lëviz me makinë do të bezdiset dhe do të nervozohet nga Post-blloqet, prandaj të kufizojë lëvizjet. Të pranojmë të gjithë së bashku këtë shtrëngim”-tha Rama.
Sot, në Shqipëri janë 11 të infektuar dhe 1 viktimë nga COVID-19. Sipas ministrisë janë 10 të infektuar në Tiranë, 1 në Lushnje dhe e moshuara e infektuar në Durrës që ka ndërruar jetë. Të gjithë rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë. Ministria bën thirrje që qytetarët të zbatojnë rregullat dhe të shmangin daljet e takimet me të tjerët. Ndërsa Policia ka bërë aksion gjatë natës për mbylljen e ambienteve publike. Numri 2 i Shëndetësisë ka thënë se të gjithë qytetarët që vijnë nga jashtë duhet të vetë-karantinohen, teksa nga sot në rrugë pritet të dalë Ushtria dhe Policia.








