Kristal Abazaj është shitur nga Luftëtari te Skënderbeu, duke qëndruar në Gjirokastër deri në fund të sezonit, por duket se ka edhe klauzola dhe kushte mesa palëve. Një i tillë është se nëse për Abazajn vjen ndonjë ofertë e majme deri në fund të muajit, ai largohet dhe ndoshta palët ndajnë të ardhurat. Kështu, Abazaj është ende në tryezën e bisedimeve për shumë klubeve dhe ndoshta emri i tij po ofrohet gjetkë, për të testuar tregun. Gazzetta dello Sport publikoi dje në seksionin e saj në lidhje me merkaton një lajm interesant: Kievo është duke kërkuar sulmues krahu dhe Abazaj është një emër që klubi veronez po e studion me vëmendje.
Për 21-vjeçarin ka interes edhe nga Benevento e Kaliari, ose më saktë sulmuesi i kombëtares U-21 u është propozuar atyre nga palë të treta, por për momentin është Kievo klubi më i interesuar, si gjithnjë mjaft i aftë për të zbuluar talente me çmim të ulët. Natyrisht, për Abazajn nuk bëhet fjalë për “thërrime”, sepse kartoni i tij në këtë moment vlen e pakta 400-500 mijë euro për tregun e huaj, ose kjo është shpresa e klubit gjirokastrit.