7 gola të shënuar në total, gafa pafund, me Tottenham që përjeton makthe edhe në Champions. Është e vështirë për t’u besuar, por kjo ishte një nga ato ndeshje ku një portier të shkatërron gjithçka. Protagonist absolut i kësaj mbrëmje ishte Kinsky, portieri që Tudor vendosi ta aktivizonte nga minuta e parë. Brenda 15 minutave, Tottenham dhe Kinsky bënë tre gafa të pabesueshme me Atleticon që e ndëshkoi në çdo rast.
Fillimisht në minutën e 6-të, në përpjekje për të hapur lojën, Kinsky i dhuroi një top lojtarëve të Atletico-s, me Llorente që në fund nuk shpërdoroi duke kaluar madrilenët në avantazh. Në të 14-tën ishte radha e mbrojtjes për të vënë në jetë gafën e radhës, me Griezmann që përfitoi duke dyfishuar shifrat. Makthi nuk kishte fund, pasi një minutë më pas, Kinsky doli huq duke i dhuruar Alvarez një top të pastër për të trefishuar shifrat. Më në fund, Tudor u zgjua duke larguar nga fusha portierin çek. Kjo lëvizje nuk kishte shumë efekt pasi në minutën e 24-ët Atletico realizoi edhe golin e katërt me Le Normand. Nën shok, Tottenham u përpoq të rikthehej në lojë me Pedro Poron që ngushtoi shifrat në 4-1 në minutën e 26-të.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 55-të, Alaverz me një kundërsulm të shpejtë kompletoi “manitën” e golave për Atletico-n dhe golin e dytë personal. Me Atletico-n që u përpoq të menaxhonte këtë rezultat të thellë, në minutën e 76-të Solanke ngushtoi shifrat në 5-2, por vetëm kaq, pasi në fund festa ishte e gjitha për Atletico Madrid, me ekipin e Simeones që hedh një hap të sigurt drejtë kualifikimin për në fazën çerekfinale të Champions League.
E kishte të vështirë të shpjegonte këtë humbje trajneri Tudor: “Kinsky është një portier me vlera. Ajo që i ndodhi është e vështirë për t’u shpjeguar. Më vjen keq për të, është hera e parë që shoh diçka të tillë. Zëvendësimi i tij pas 20 minutash ishte një lëvizje për ta mbrojtur. Nuk kam çfarë të them për këtë ndeshje. Në këto momente kemi gjithçka kundër”, u shpreh Tudor.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







