Nga Mero Baze/Tema
Nisma e kryeministrit të Shqipërisë kundër shpifjes dhe përdorimit politik të saj, është në të vërtetë një betejë e informacionit kundër propagandës. Dhe beteja e informacionit kundër propagandës fitohet me informacion, dhe jo me propagandë. Me propagandë qeverisin zakonisht vendet diktatoriale, ose regjimet e mbyllura. Qeveritë e hapura dhe vendet e lira, qeverisin përmes informimit.
Në këtë pikë, beteja e Edi Ramës kundër shpifjes, do të ketë aq sukses, sa ka sukses fuqia e administratës së tij për të dominuar propagandën me informacionin zyrtar.
Reagimet e para të institucioneve të tij nuk janë pozitive. Ato dëshmojnë se po reagojnë ndaj nismës së kryeministrit me një fushatë politike, dhe jo me detyra profesionale.
Ilustrimi më i mirë është vënia në lëvizje e AKEP për formalizimin e portaleve dhe regjistrimin e tyre, dhe konfuzionin e veprimeve në këtë pikë.
Në një shkresë të AKEP, bërë publike sot në shtyp, listohen një sërë portalesh, që sipas tyre nuk kanë NIPT dhe nuk janë regjistruar, ndërkohë që portaleve dhe gazetave me faqe online u kërkon të bëjnë publike NIPT-in.
Duket që kjo është një lëvizje propagandistike, e cila më së paku tregon se AKEP vepron sipas perceptimeve publike, dhe jo sipas ligjit.
Së pari, ajo lista e bërë publike ka plot pasaktësi, pasi disa prej atyre portaleve janë të regjistruar nën një emër tregëtar.
Fjala vjen, faqja “Opinion” është veprimtari e emisionit “Opinion”, dhe është produkt online i një redaksie legale, dhe nuk ka pse listohet aty.
E njëjta gjë dhe për faqet e tjera të emisioneve si TPZ.al etj, apo faqet e gazetave dhe televizioneve.
Ato kanë një emër tregtar pas tyre. Disa portale nga ajo listë mund të jenë vërtet informale, por duke mos qenë listë e plotë, krijon konfuzion.
Ajo çka është më e rëndësishme në atë listë, nuk janë ata që janë listuar, por ata që nuk janë listuar, dhe që janë nja 700 portale të tjera, nga ato të tipit një njeri pesë portale, që nuk janë të regjistruara. Por meqë punonjësit e AKEP nuk i kanë ndeshur këto portale, nuk i quajnë se ekzistojnë.
Kjo do të thotë se lista nuk është prodhuar nga një procedurë profesionale, që vjen nga një listim nën garanci shkencore, por nga portale që kanë parë e dëgjuar punonjësit e AKEP. Dhe si e tillë, ajo demonstron më së paku, se sa larg përgjegjësisë zyrtare është AKEP, për të detyruar portalet të regjistrohen.
Ai duket vetë i pa-informuar për gjendjen dhe nuk mund t’ia dalë dot të mundë propogandën me informim.
Edhe Instituti i Medias, që është një OJQ me 4 të punësuar në Shqipëri, ka një listë me nja 800 portale online në gjuhën shqipe, të listuar sipas kërkimeve vizive të tyre, ndërsa AKEP që ka mundësi të tjera, duhet të na ofrojë një listë teknike të tyre, listuar sipas kriteresh që burojnë nga metodika shkencore të botës online.
Së dyti, kërkesa që portalet apo gazetat që kanë faqe online të publikojnë NIPT-in është anormale, pasi NIPT-i është informacion zyrtar që mund të merret nga Tatimet apo nga formulari pranë AKEP, dhe s’ka pse bëhet publik, pasi mund të keqpërdoret nga dikush tjetër për mashtrime.
Të bësh publike NIPT-in që ta shikojë AKEP, është qesharake, kur AKEP mund të të nisë një email, dhe të të kërkojë përmes një formulari çdo të dhënë, deri dhe tek buxhetet e kompanisë, por jo për t’i bërë publike.
Ndaj të dy kërkesat duket se reflektojnë dëshirën për t’u përfshirë në një fushatë, por jo detyrën që duhet të kryejnë si institucion.
Rregjistrimi i portaleve është nevojë urgjente që rrit besueshmërinë dhe sigurinë e informimit, por fushata e AKEP, vetëm sa tregon se sa larg detyrimit për ta bërë këtë, është kjo agjenci.
E njëjta gjë vlen dhe për agjencitë e tjera ligj-zbatuese, si Taksa-Taimet, apo Inspektoriati i Punës.
Shqipëria nuk ka nevojë të ndërmarrë fushatë politike për regjistrimin e portaleve, por duhet të zbatojë rregullat që ka.
Çdokush që kryen aktivitet financiar brenda territorit të Republikës duhet të paguajë taksa, duhet të ketë NIPT dhe duhet të jetë i siguruar, që të luftohet puna e zezë. Për këtë nuk duhet fushatë. Për këtë duhet shtet normal, që zbaton ligjet e tij.
Dhe shteti funksionon me letra, me shkresa, me referenca ligjore, dhe jo me lista publike.
Listat publike janë aktivitet gazetaresk, jo institucional. Kur e bëjnë institucionet, quhet propagandë.
Një portal fjala vjen nuk mund të heqë reklamat e basteve se dëgjon kryeministrin të thotë “hiqini”, pasi ai ndoshta nuk ka qejf ta dëgjojë kryeministrin kur flet dhe nuk e ka detyrim të informohet nga daljet publike të tij.
Atij duhet t’i shkojë një letër nga një zyrë shteti. Biles duhet t’i shkonte që kur e ka botuar, pasi ato nuk lejohen me ligj.
Po ashtu, një portal për t’u detyruar te regjistrohet, duhet të marrë një njoftim nga Tatimet bazuar në informacionet e AKEP, përmes kontaktit zyrtar me të. Nëse e refuzon, atëhere AKEP e ka të lehtë. Ai merr listën e portaleve dhe faqeve të gazetave që kanë NIPT dhe mbyll gjithçka tjetër, duke i detyruar të regjistrohen para se të hapen.
Por kjo jo me letra publike, por me procedura zyrtare, që dëshmojnë se ata nuk janë në fushatë, por në krye të punës.
Kjo ja lehtëson vërtet qeverisë betejën e informacionit kundër propogandës.