Nga Entela Resuli
Fundjavën që lamë pas, një grup gazetarësh u ftuan për të parë nga afër efektet e reformës territoriale në dy bashki të cilësuara më të suksesshme.
Pas një ndalese në Fierin e ndryshuar dukshëm, stacioni i radhës ishte Tepelena.
U nisa drejt këtij qyteti me një mal me paragjykime për kryetarin e Bashkisë, Tërmet Peçi. Çoç kisha dëgjuar e lexuar!
Ministri i Pushtetit Vendor (i larguar tashmë), Bledi Çuçi, i cili deri pasditen e së shtunës nuk dinte asgjë për shkarkimin e tij, na paralajmëron se do të surprizohemi me Tepelenën.
E pyes, e vetëdijshme për ironinë që kishte pyetja ime, nëse ky qytet ka ndryshuar si pasojë e vizionit të kryetarit të bashkisë, apo…?! – “Po, po, – përgjigjet bindshëm ai, – për meritë të kryetarit ka ardhur i gjithë ndryshimi, pasi ai është një njeri punëtor, i gatshëm të marrë vendime dhe me dëshirë të madhe për t’i çuar punët në fund, brenda afatit. Kemi drejtues bashkish që janë njerëz shumë të mirë, me CV të denja në profesionet e tyre, por nuk kanë aftësi menaxheriale dhe kjo i pengon ata të jenë të suksesshëm në detyrën që kanë marrë përsipër”.
Përveç bustit të Ali Pashë Tepelenës, i cili qëndron rëndë-rëndë në hyrje të qytetit, pak metra më tej na pret Tërmet Peçi. Mban veshur pantallona xhins, bluzë të kuqe të ngushtë, atlete dhe xhup.
Ai ishte lajmëruar për ardhjen tonë dhe mezi po priste të na tregonte se si kishte ndryshuar qyteti që drejton.
Sapo zbresim nga furgoni na pret me batutë: “Hë, erdhët ju? Shikoni çfarë punë e madhe është bërë, mos u merrni me gafat që bëj unë, më shikoni punën dhe jo ato që them”, shprehet Peçi sapo takon gazetarët e ardhur nga Tirana në Tepelenë.
Na shoqëron në shëtitoren e qytetit, sot e rikonstruktuar dhe e shtruar e gjitha me kalldrëm, e cila për hir të së vërtetës i ka dhënë një pamje ndryshe Tepelenës.
Ka një energji ky njeri, i cili i bën të gjithë për të qeshur, sapo hap gojën. Nuk kujdeset të përzgjedhë fjalët, madje tallet me gabimet e tij në të folur, por me temperamentin dhe sportivitetin që e karakterizon arrin të tregojë si ka arritur që të ndryshojë qytetin ku ka lindur dhe jeton.
Në sheshin kryesor, banorët kanë dalë për të na përshëndetur, por nuk ngurojnë të shprehin hapur falënderimet për kryetarin e bashkisë së tyre, i cili ndihet i përkëdhelur nga fjalët dhe shton se: “Ja u them burrash siç di të flas unë, madje ju falënderoj nga zemra, ju personalisht dhe gjithë komunitetin, por këto punë i ka bërë qeveria dhe kryeministri Edi Rama”, shpjegon Peçi, i cili ia çon meritat kryeministrit.
Në qytet ende punohet. Një pjesë e mirë e fasadave të pallateve janë lyer, të tjera presin të bojatisen. Në rrugën krah kalasë pirgje me pllaka presin të shtrohen, e cila do të jetë pedonale.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se së fundmi është rritur ndjeshëm numri i turistëve dhe vizitorëve të interesuar për Tepelenën. “Është shtuar numri i turistëve vendas dhe të huaj. Mbi të gjitha këtu është gjallëruar dhe jeta. Më shumë kanë filluar dhe po vijnë anglezët”.
Ndërsa jemi duke ecur drejt shkollës “Abaz Shehu”, Peçi na tregon rrugët që po shtrohen në qytet. Ai shprehet se ka marrë maksimumin nga firmat që kanë marrë përsipër shtrimin e rrugëve, ku thotë se u kërkon të bëjnë më shumë nga projekti që kanë.
Kur erdhi Rama këtu, i ngeci këmba në trotuar dhe me pyeti; çfarë ke bërë”, tregon Peçi. “I thashë që duhen lekë. Ia kam marrë “Komandantit” lekët dhe janë bërë gjithë këto investime”, vazhdon ai, duke e thirrur kryeministrin me këtë titull.
Gurët nuk janë marrë vetëm nga Tepelena, megjithëse këtij qyteti nuk i mungojnë, një pjesë e tyre janë marrë nga Dropulli e Berati.
Ai dëshiron shumë që të na tregojë shkollën e mesme “Abaz Shehu”, e cila sot ka një pamje të re.
“Investimi është 46 milionë lekë të reja. Është në sistemin kapot në veshjen e jashtme, brenda me palestër, me laboratorët, me shkallët e emergjencës si asnjëherë. Njëherë e mirë mori fund zgjidhja e gjithë këtyre viteve të lëna pas dore. Evropën e kemi atje lart, do ta prekim së shpejti”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Tërmet Peçi, teksa shoqëronte Bledi Çucin i cili vizitoi Tepelenën për të parë nga afër projektet e Rilindjes Urbane.
Edhe pse shkolla ka përfunduar, ajo ende nuk është vendosur në shërbim të nxënësve. “Po më vonon ministrja e Arsimit, arredimin e brendshëm. Shkolla ka përfunduar qysh në dhjetor, por nuk mund të fillojë mësimin me bankat e vjetra, kështu që po pres të më sjellin pajisjet”, thotë Peçi, i cili i drejtohet Çuçit: “Siç e pe, puna ka përfunduar, ndaj, të keqen vëllai, atë arredimin mos ma harro”.
Si u bëra kryetar!
Duke u kthyer sërish në qendër të qytetit, mundëm të mësojmë më shumë për Peçin, i cili nuk e ka patur të thjeshtë të fitojë bashkinë e Tepelenës.
Ai ka lindur në vitin 1972. Sot 45-vjeçari është babai i tre fëmijëve (një vajzë dhe dy djem).
“Kur e nisa këtë rrugë e kisha shumë të vështirë. E para, ndjeja që nuk më donte brezi i vjetër. Duhet të kuptoni mentalitetin e tepelenasve. Duan burra të rëndë, të cilët janë të pjekur dhe flasin me një gjuhë tabani. Mua më kishin parë si një djalë që, dilja nga Tepelena me një makinë dhe hyja me një tjetër. Mbaja flokët e gjata, pantallonat e grisura. Ku donin kështu këta!?” – tregon Tërmeti për veten. “Iu futa punës. Shkoja shtëpi më shtëpi e flisja me njerëzit. Jam lodhur shumë. E kisha të vështirë të fitoja besimin e tyre. Duhet t’i bëja të kuptonin që nuk isha ashtu siç ata mendonin. Duhet të bëja për vete rininë dhe brezin e vjetër, ndërsa elektoratin e pavendosur nuk e kisha problem”,- tregon Peçi. Por sot, ata që kishin dyshim për aftësitë e djalit që dëshironte të drejtonte bashkinë nuk janë penduar që ia kanë dhënë voton.
“Ua them me bindje, sot brezi i vjetër lë kokën për mua. Me punë ua kam shpërblyer. Ja dilni dhe pyesni kë të doni…”,- shprehet bindshëm, Tërmeti.
Emri, Tërmet?
Nuk mund të ndahemi me Tërmetin pa mësuar diçka më tepër për këtë emër të pazakontë.
“Është e thjeshtë fare. Ju e dini! Unë jam nipi i Shefqet Peçit, i cili ka qenë komandant i Brigadës së Pestë sulmuese gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. I cilësuar si burri trim dhe i zoti, gjatë luftës ai e ka patur pseudonimin, “Tërmet”, dhe kam pikërisht këtë emër, pasi ma ka vendosur gjyshi, nuk është ashtu siç thotë PD, që kam ndryshuar emrin. Po, nëse duan u them që e kam ndryshuar, në vitin 1944!”
Këtu kujton edhe përplasjet që ka patur me Partinë Demokratike, e cila e ka akuzuar si person me probleme për sa i përket dekriminalizimit. “Dhashë shenjat e gishtave. Ç’punë kam unë të jap shenjat e gishtave. Ata pisat e PD-së akuzojnë kot. Unë jam rrahur kur kam qenë i vogël se jam marrë me kick-box, po nuk jam unë për të rrahur”, shprehet Peçi.
“Publiçitare”
Ka një fjalë që ia ka “nxirë” jetën këto kohë Tërmet Peçit. Një muaj përpara zgjedhjeve të 2015, në atë kohë kandidat për të fituar një mandat të dytë në bashkinë Tepelenë, Peçi del përpara zgjedhësve, duke i shprehur për një fitore të sigurt, duke e cilësuar atë jo plebishitare, siç jemi mësuar rëndomë ta dëgjojmë në kohë fushate zgjedhore nga kandidatët. Por për Peçin, fitorja do të ishe “publiçitare”! Kjo fjalë e tij, sot e kësaj dite bënë xhiron e rrjetit. Peçi na thotë se, as nuk e ka kuptuar në atë çast se çfarë gafe ka bërë.
“Pasi mbarova fjalimin, dola dhe më thoshin njerëzit që kisha me vete: si e the atë, si e bërë atë gafë?! -Ore çfarë thashë, i pyesja. As nuk e dija si isha shprehur dhe se çfarë kuptimi kishte ajo që kisha thënë. E dini?! Është shumë e vështirë të dalësh përpara njerëzve dhe të flasësh. Është emocion. Pastaj unë jam ky që jam. Nuk e mbaj veten për profesor e doktor. Unë di të bëj mirë këtë punë dhe për këto të më gjykojnë, jo për gafat që bëj. Ky tipi jam. Flas shumë pak e për pasojë edhe gaboj”, -shprehet Peçi, i cili nuk nguron të pranojë “gafat” që bën, të cilat i konsideron të padëmshme në punën e tij. Madje i kthen ato në humor; pranon gabimet dhe tallet me veten. Duket se kjo e bën edhe më interesant në sytë e të tjerëve. “Nëse nuk do isha tani me ju, do isha duke luajtur kalçeto. Nuk jam tipi i rëndë që të bëj si intelektual kot. Madje mendoj se e keqja jonë vjen nga pseudo-intelektualët”.
Nëse?
Ai na tregon se bën një jetë shumë të thjeshtë. Puna në bashki i ha pjesën më të madhe të kohës. “Nëse dikush vjen në bashki dhe ka një hall, unë vendosem në dispozicion si nënën time. Nuk e lë të presë dhe mundohem t’i mbaroj punë sa më shpejt”.
Po cilat janë planet e Tërmetit, a e synon ai një mandat të tretë?
“Si të dojë Komandanti”- shprehet ai duke folur për Ramën. “Fjala e tij është urdhër për mua. Nëse do të ma japin edhe njëherë këtë shans do e bëja me kënaqësi. Në të kundërt, unë nuk e kam problem, pasi kam plot punë për të bërë, ndërsa Partisë Socialiste do i shërbej sa të jem gjallë”. Takimi me Tërmetin na bëri të njohim ndryshimet në qytetin që ai drejton, por edhe vetë atë.
Është e vërtet, ai nuk është as doktor, as profesor, por është një punëtor dhe shërbëtor i qytetarëve të tij. A i mjafton kjo tepelenasve? Ata janë të kënaqur.
/*Shkrimi u publikua ne gazeten “Dita” sot 15 Mars 2017/