Aktori dhe moderatori Gentian Zenelaj i ftuar në emisionin “Part Time” me Rudina Dembacajn ka rrëfyer mjaft detaje nga jeta e tij personale. I pyetur nga moderatorja Dembacaj se kush e bën ligjin në shtëpinë e tyre, Gentian Zenelaj nuk ka ngurruar dhe e ka thënë troç se “ligjin e bën gruaja”. Gjatë rrëfimit të tij, Zenelaj ka treguar se si e kanë nisur jetën së bashku me bashkëshorten.
Rudina Dembacaj: Kush e bën ligjin në shtëpinë tëndë, ti, Aida apo Aria?
Gentian Zenelaj: Në shtëpinë tonë e bën ligjin gruaja, e cila ka dashur Zoti që të ishte Aida, kështu që gruaja.
Rudina Dembacaj: A është koprrace si legjendat?
Gentian Zenelaj: Jo, nuk është e vërtetë. Gjirokastritët nuk janë koprracë.
Rudina Dembacaj: Përshkruaje me 3 fjalë martesën tënde Gent.
Gentian Zenelaj: Martesa ime ka qenë një malore, malore, malore, jo në aspektin e marrëdhënies time me Aidën, por realisht e kemi nisur me një shtëpi të palyer, me mobilje të kohën së Enverit dhe me një biçikletë. Ma beso që çdo gjë në këtë jetë e kam vendosur bashkë me Aidën.
“Part Time” në Tv Klan e ka vendosur Gentian Zenelajn në rolin e kamarierit, por mesa duket nuk është hera e parë që aktori dhe moderatori e ka provuar një eksperiencë të tillë. Zenelaj ka treguar se në vitin 1997 ka punuar si kamerier në një restorant në Tiranë.
Rudina Dembacaj: Si t’u duk eksperienca sot?
Gentian Zenelaj: Një mrekulli, në krahasim me 97-ën kur unë punoja kamarier, gjërat kanë ndryshuar shumë.
Rudina Dembacaj: Ku ke punuar kamarier në 97-ën?
Gentian Zenelaj: Në Tiranë. Po vinin klientat me pistoletë në tavolinë. Sot lënë cigaret, atëherë linin pistoletën.
Rudina Dembacaj: Ka pasur ndonjë rast që të kanë kërcënuar “çfarë lekësh do ti mo”?
Gentian Zenelaj: Jo, mund të ikinin pa paguar, por ti i shaje pasi ato kishin ikur të paktën 2 kilometra larg lokalit. Kanë qenë periudha shumë të vështira për profesionin e kamarierit në ato vite.
Rudina Dembacaj: Sa vjeç ke qenë?
Gentian Zenelaj: 20 vjeç.
Rudina Dembacaj: Sa ke punuar kamarier?
Gentian Zenelaj: Kam punuar 1 verë të plotë të tmerrshme në Tiranë në restorant.