Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Gjergji Nika, i cili aktualisht mban postin e këshilltarit bashkiak nga radhët e Partisë Demokratike, nuk e ka mbështetjen e partisë në këto zgjedhje të pjesshme. PD mbështet për kryebashkiak të Vlorës, kandidaturën e Dionis Sotën, të cilin Nika e ka cilësuar si të ardhur nga strukturat e majta, pra nga Partia Socialiste.
Në në lidhje live në studion e ‘Sot Live në Shqipëri’, Nika sqaron se vendimi për të mos mbështetur atë në zgjedhjet e pjesshme, është marrë nga kryesia e Partisë Demokratike. Nika është shprehur se ajo që e shtyu për të shpallur kandidaturën e pavarur, ishte presioni i madh që i ushtroi opozita për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Duke pasur parasysh vendimin e PD për të mbështetur kandidatët e pavarur, pas daljes së zotit Zota dhe veprimet që bëri kryesia për të mbështetur Sotajn, unë kam pasur shumë presion shumë të madh nga strukturat e degës së PD në Vlorë dhe të gjitha strukturat e tjera opozitare. Këto më kanë shtyrë që të dal si kandidat. Strukturat e PD nuk janë në dakordësi për mbështetjen e këtij kandidati, janë vetëm 15 apo 20 persona që kanë dalë në mbështetje të këtij kandidati”, tha Nika.
“Unë besoj që PD po luan për interesat e vetë personalë. Kur demokratët e vërtetë duan të futen në garë, gjithmonë i pengojnë. PD e Vlorës janë gjithmonë gati për tu futur në garë”, shtoi Nika.
Ai ka sqaruar se fakti që dikur ka mbështetur Lulzim Bashën në kohën kur PD u përça, nuk mund të jetë një arsye që Berisha refuzon t’i japë mbështetje sot. Ai sqaron se në atë kohë ashtu si dhe tani, ka parë shumë padrejtësi të iniciuara nga kryesia e PD-së.
“Nuk ka arsye. Unë nuk kam punuar asnjëherë në shtet dhe pozicionet e mija në PD kanë qenë pozicione vullnetare. Unë kam kaluar në vijën e mendimeve të Bashës sepse kam parë shumë padrejtësi që janë bërë nga dega qendrore. Këto padrejtësi po i shohim dhe sot. Nëse kam qenë me Bashën ai është demokrat, unë jam i PD”, tha Nika.








