Policia Rrugore e Gjirokastrës ka proceduar penalisht 5 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore ka vijuar kontrollet me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë 2 javëve të fundit, si rezultat i shtimit të kontrolleve në kuadër të masave të shtuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Digjital, shkeljet e konstatuara, janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, si dhe janë pezulluar 2 leje drejtimi.
Gjithashtu, janë vendosur 665 masa administrative, konkretisht: 359 masa për parakalime të gabuara; 74 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 140 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, si dhe 92 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor, të cilat janë burim aksidenti.
Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.









