Qindra besimtarë i janë drejtuar sot Teqesë së Zallit në Gjirokastër, për të uruar ditën e Sulltan Novruzit. Mes tyre ka qenë edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. I shoqëruar nga kryebashkiaku Flamur Golemi, ai shkëmbeu urime me dervishin e teqesë dhe besimtarët që ndodheshin aty. Teksa publikon disa foto në Facebook, Çuçi shkruan:
“Mes besimtarëve në Teqenë e Zallit në Gjirokastër për të uruar Sulltan Novruzin, këtë ditë të shenjtë të bektashinjve që ka një dimension më tepër sesa fetar. Kjo festë përkon me ardhjen e pranverës, rigjallërimin e natyrës dhe na mëson se sa shumë të rëndësishme janë vlera të tilla si harmonia, bashkëpunimi, toleranca dhe besimi në Zot. Teqeja e Zallit ka një vlerë të madhe shpirtërore për banorët në jug të Shqipërisë, jo thjesht si një objekt kulti me vlera monumentale, por ka qenë gjithashtu një qendër kuvendesh e bashkimi, strehë e Çerçiz Topullit dhe e shumë atdhetarëve të tjerë që bënë sakrifica të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe dhe mëvetësimin nga Perandoria Osmane. Gëzuar Sulltan Novruzin. Bashkë me pranverën ardhshin gjithë mbarësitë për ju e familjet tuaja”, e mbyll fjalën e tij Çuçi.