Kalaja e Argjiros, simbol i qytetit të Gjirokastrës ka mirëpritur sot vizitorët e vegjël të cilët kanë vizituar dhe parë nga afër objektet që ndodhen në të. Në kuadër të programit kombëtar të “Edukimit Nëpërmjet Artit dhe Kulturës” grupi i “Mikut të Monumenteve” i shkollës ” Naim Frashëri” vizitoi dhe u njoh nga afër me kalanë hijerëndë të “Argjiros” dhe historinë e saj si dhe me muzeun e armëve që ndodhet në brendësi të saj.
Ky aktivitet nën moton “Të njohim monumentet” do të vazhdoj me shkollën “Naim Frashëri” edhe vitin që vjen me synimin për ti afruar më tepër të rinjtë me pasurit që kemi dhe për të vlerësuar më shumë kulturën tonë.
Kalaja e Gjirokastrës historike dhe mitike
Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me të hyrë brenda, janë të ekspozuar një numër topash, të cilët janë pjesë e galerisë së topave, artileri këto që kryesisht janë braktisur apo u janë kapur forcave të pushtuesve nazistë nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund fare të kësaj galerie gjendet edhe një tank italian, i prodhuar nga “Fiati” në mes viteve 1941-1943.
Muzeu Kombëtar i Armëve, pjesë e së cilës është edhe Galeria e Topave, është një pasuri tjetër kombëtare, i cili në koleksionin e tij përmban armë nga lashtësia dhe deri te lufta e partizanëve.
Në këtë kështjellë, rrënjët e së cilës datojnë që nga shekulli i 4-të para erës sonë, në kohë të Pirros së Epirit, ekziston edhe Muzeu, që njëherësh njihet edhe si Galeria “Gjin Zenebishi”, e në të cilën rrëfehet historia e Gjirokastrës, duke filluar që nga vendbanimet parahistorike dhe deri në periudhën kur qyteti bëhet një qendër e rëndësishme administrative e Perandorisë Osmane dhe më pas vendlindje e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e diktatorit komunist Enver Hoxha, etj.
Aty gjithashtu tregohet historia e lokaliteteve arkeologjike, që shtrihen në luginën e Drinos. Nga muret e kalasë së Gjirokastrës shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth.