Nga XHEVAIR LLESHI
Gjirokastra ime, fjala mjaltë e këngës, / ku dhe guri flet, me gjuhën e zemrës! / Sot me zërin tim, mblidhen mijëra zëra, po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra! Nuk vonoi të vinte herët, siç bënte ngaherë. Shoferi dukej sikur e kishte bërë dhëndër autobusin. Një zbukurim i pazakontë! E dini ç’kam menduar për sot? Jo, nga ta dinim. Kam vendosur të jem tjetër shoumen. Hyr, hyr, të lutem. Unë hyra dhe gjeta brenda një të papritur të madhe: Prof. dr. Arqile Bërxholi! Ou! Kjo është fitore, vërtet. S’ka Gjirokastër pa këtë njeri. Domethënë, s’ka Gjirokastër turistike.
Se Gjirokastra aty është, nuk lëviz. I pe ata të tjerët? Janë turistët e mi. I vura në dijeni se kam gjetur asin e atyre që bëjnë ciceronin. Do ta kemi me vete. Po të kem një si ky, unë vete në fund të botës! Ta dish që i kam dhënë fjalën: do të fillojmë me luginën e famshme të Kardhiqit, nuk do të hyjmë në Gjirokastër. Aventurë e gjallë! Mos u bëj merak, i kam marrë të gjitha masat. Ka për të qenë një mrekulli. Oho, ç’do të vejë! Ka për të kërcyer edhe qeni i kallajxhiut! Do ta detyroj autobusin tridhjetëvendësh të ndihet mirë e të mos më hedhë shkelma.
Ndërsa, ta dish, se unë jam malësor, ke për t’i parë kur malet e Labërisë të kërcejnë valset e Shtrausit! Po, po! S’ka diskutim. Ta kam thënë që jam valltar (me kurs “Plepash”, kuptohet – dhe qesh si gjithmonë bukur!) dhe ndërkaq qeshin edhe turistët. Profesor Arqileja po kthente nga një anë në tjetrën fletët, shënimet, fotot. Edhe unë isha gati. S’kisha qenë ndonjëherë në këtë luginë…
Lugina e Kardhiqit dhe malet përreth saj… Arqile Bërxholi filloi të fliste dhe përkthyesi i ri shpjegonte. Në fillim harta, pastaj doket e zakonet e Labërisë, këngët, vallet, veshjet karakteristike, veglat muzikore. Këputjet tektonike të luginës, kanioni i famshëm e i njohur, monumentet, rrapet e mëdhenj me fatin e madh se tregonin histori. Sikur të kishin gojë e të na tregonin, mendova. Flasin, flasin, më tha, duke ma kuptuar mendimin, miku ynë. Vetëm se duhet të kesh veshë specialë, si këta të mitë. Profesor Arqileja e pa ngultas. Si e ke menduar itinerarin?
Jo, s’e ke menduar. Bukur, atëherë unë propozoj të shohim e të qëndrojmë pak në kanionin e Piksit që shtrihet midis shpateve të majave Arac-Nikolec nga perëndimi dhe fundit të shpateve të malit të Pilloit nga lindja. Gjatësia e luginës tip kanioni është rreth 1.3 km, ndërsa kanioni tipik është i gjatë mbi 100m dhe thellësi të shpateve mbi 60m. Kanioni ka pamjen e një “tuneli” çka të lë pa mend dhe të detyron të kuptosh se krijimi i tij është aktivitet nëntokësor i përroit të Piksit, në një luginë antiklinale, në gëlqerorët e Kretës. Ju lutem, mos u mërzitni nga termat, por janë gjëra që s’mund të mos i them. Për këtë “dëshmojnë” gurët me përmasa mjaft të mëdha, të papërpunuar nga rrjedhja e ujërave në përrua që gjenden në shtrat, çka tregon se pas krijimit të luginës “tunel” u shemb tavani i tij dhe ajo tashmë mori pamjen e kanionit…
Një grup burrash dhe grash kishin zënë lëndinën anës rrugës, buzë korijes. Të gjithë veshur me kostume popullore. Profesor, më tha, më do perëndia mua, ja tek m’i fali sytë. I dhashë të drejtë. E ndali autobusin dhe u takua një për një me banorët e luginës. Do të mësonim shpejt për ta e sesi ndodhi që ishin aq papritur aty. Do niseshin për në Greqi, në Trikalla. Zbritën edhe turistët. I shihnin me kërshëri, duke shtyrë njëri-tjetrin me bërryl si për të ngjallur një humor të ri, interesant. Edhe me porosi nuk e gjeje dot këtë skenë. Afrohu, profesor Arqileja. Tani ndryshoje pllakën.
Na thuaj ndonjë llaf për këta krushq! “Gurra e Picarit” jeni? Jo? Se ata të “Gurrës” janë pjesëtarë të Qendrës Ndërkombëtare të Organizimit të Veprimtarive Folklorike, themeluar në shkurt 2006. Këta qenkan “Djemtë e Kaparjelit”, një tjetër grup polifonik i krahinës së Kardhiqit, njëlloj siç mund të themi edhe për grupin e Kardhiqit, grupin e përbashkët Picar-Fushëbardhë-Mashkullorë, grupi i Zhulatit apo dhe grupi i Golemit. Ta dini se këngëtarë popullorë nga Kardhiqi dhe Kurveleshi (Kurelashi, ky është dhe emri i vjetër, i saktë, krenar, i gjetur në defterin e Halil Inalçik!) kanë ngritur në Greqi grupin e këngës labe quajtur “Vëllazëria”.
Por këta të Kaparjelit janë të mahnitshëm. Do t’u lutem, t’ia marrin një. Këmbëngulja e profesor Bërxholit dha fryt. “Djemtë” ia morën këngës. Djemtë ishte vetëm emri, se aty kishte vajza të bukura që t’u prisje kokën. Kënga labe e Kardhiqit, filloi profesori, duke u këshilluar me një skedë, karakterizohet në përgjithësi nga kënga tipike, polifonike labe, megjithëse në një pjesë të saj ka edhe disa diferencime. Kjo ndodh se shumë shekuj më parë në hapësirën e Labërisë, krahas të kënduarit monofon (një zë), dalëngadalë u kristalizua një formë e re e ndërgjegjes muzikore të banorëve vendas, të kënduarit me shumë zëra, polifonia.
Ajo është dëshmia më elokuente e talentit të këtij populli. Kënga labe e Kardhiqit dallohet për veçoritë e saj mjaft origjinale, për tingëllimën e ëmbël, për koloritin tipik. Ajo është mitologjia e shpirtit të populli, i cili ka sjellë me vargjet e këngës apo melodinë e dyjares, kalimin historik të tij, furtunat, dallgët e jetës, dasmën, lindjen e djalit, ashtu siç ka sjellë edhe gëzimin dhe buzëqeshjen e pranverës apo gjëmimin e egër të dimrit. Këngët dhe meloditë labe janë të «lehta» si flladi, por janë dhe të “rënda” si malet. “Labçja” dhe meloditë e longarit rrëshqasin gëzueshëm kur “Dhëntë shkojnë për ujë”, por çapitet ngadalë kur përcjell kurbetçinjtë. Ç’ t’ju them më tepër! Trembem mos iu mërzis… Të shihje grupin “Djemtë e Kaparjelit”.
Zjarr e ndezën vendin. Turistët hynin mes tyre. Foto. Xhirime. Të qeshura. Një çift mjaft simpatik, më në fund, e nxori kollën. Dolën të parët. Zërat krijonin atmosferë të mahnitshme me natyrën e gëzuar. Ja, këtu, siç e shihni, kë- putet rruga e Delvinës dhe e Sarandës. Sigurisht, ka për të qenë një mrekulli, por ç’e do, mënjanon Gjirokastrën! Përrallën! E kini parë? Atje do flemë sonte profesor. Përrallat tregohen natën, aty e kanë magjinë dhe misterin. Ku, ku më zunë rrugën këta “Djemtë e Kaparjelit”, ë? Çudi për t’u çuditur! Ja shiko pak: lozha është në formë rrethi dhe përmes është skena, domethënë ky lumë që kalon në këmbët tona, ku notojnë peshq të bukur në ujin me ngjyrë kobalti. Po e dua kaq shumë këtë pjesë të Labërisë!
E, profesor, u kënaqe nga fjalët e mia? Po, mor, si jo! Ke filluar të ngasësh bukur edhe fjalët tani dhe kam frikë mos lësh mënjanë autobusin… Nuk mund të gjeje gjë tjetër më të këndshme për të zgjuar kureshtje të veçantë te turistët. Edhe po të na çoje në metropolet mahnitës të botës, nuk do kënaqej njeri më tepër se sa në këtë lëndinë ku dielli të puth dhe korija ta bën me sy! Kështu po, turizmi fiton pikë. Profesor Bërxholi i tha serioz, siç ka natyrën ai: Këtë turizëm mund ta bësh vetëm ti djalë. E kujt i shkon mendja tjetër njeriu që të krijojë gjëra të tilla, kaq të guximshme. Me plotgojën të them: Bravo! Të lumtë. Ndërsa tani, më lër t’u them turistëve diçka lidhur me vallet dhe veshjen. E do puna. Seferi e përqafoi.
Dukej në qiellin e shtatë. Vallet popullore të Kardhiqit, po fliste profesori, ashtu si dhe këngët, kanë ndjerë ndikimin e kushteve natyrore sidomos në përmbajtjen ideo-emocionale shpesh epike të tyre, me lëvizje të gjalla e të vrullshme, ja shikojini vet me grupin këtu, shpërthimet e brendshme të forta dhe heroike, melodikën e ndjeshme recitative, ritmikën muzikore zakonisht të përzier, të matur e të theksuar. Si për burrat dhe për gratë vallet janë në varg dhe thuajse gjithnjë të kënduara. Për gratë, vallet bëhen të lehta e të ngadalta ku kënga shoqëruese kalon në dyzërëshe.
Për burrat, vallet zakonisht janë të rënda, valle e kënduar, sidomos kur shoqërohet me këngët epike. Vallet kanë një karakter shoqëror të ndjeshëm ku burrat lidhen me duar hedhur në sup. I pari i valles njëherësh ia merr këngës, i dyti ia kthen dhe të tjerët mbajnë iso… Boll tani. Mjafton. Ndërkohë vallja mbaroi dhe grupi ndihej në dëlir. Të dy palët: edhe turistët, edhe pjesëtarët e grupit artistik. Turistët kapnin me dorë veshjet e tyre. Janë njëlloj, u tha profesori turistëve, ashtu si i ka përshkruar Pukëvili dhe Hobhauzi. Veshja tradicionale popullore përbëhet nga dy tipa: nga veshja festive dhe veshja e përditshme.
Po ne do të merremi me veshjen festive të burrave në fillim: kemi një kostum të kompletuar dhe të hijshëm, me këmishën prej pëlhure me mëngë të gjera, nga jeleku, xhamadani, brezi, fustanella prej pëlhure të bardhë, tirqet e leshta (ose kalcat, si u thonë), ndërsa në kokë mbahet qylafi me majë. Mbathen çorape leshi të zbukuruara ose jo, si dhe opinga me lëkurë lope. Xhamadani (xhamadani vija-vija!) është i zbukuruar ashtu si dhe këmisha, në mëngë dhe në gjoks. Brezi është i thurur nga fije leshi shumëngjyrëshe.
Fustanella ka formë koni, e gjerë poshtë, e ngushtë te mesi i burrit, diku me shumë pala e diku më e thjeshtë. Fustanella në fisin ilir të kaonëve njihet qysh nga shekulli IV-III para K… Mori frymë lehtë. Sa për veshjen e grave kjo, siç edhe e shihni, përbëhet nga këmisha, jeleku me mjaft zbukurime, libadeja (veshje e jashtme) etj.. Dikur, po edhe sot në grupet e këngës popullore labe, gratë vishnin fustan të gjatë me përparje të qëndisur bukur, në këmbë vishnin çorapet e qëndisura dhe shojet me lak, në kokë mbajnë shami shumëngjyrëshe. Vonë, pas konvertimit fetar, gratë filluan të veshin çitjane…/panorama