Në Shqipëri, numrin më të lartë të femrave të papuna e ka qyteti i Gjirokastrës, ndërsa më të ulëtin, Dibra. Përkatësisht kjo shifër llogaritet në 60% dhe 49%.
Ky tregues lidhet me mungesën e aktiviteteve sipërmarrëse që i përshtaten kësaj kategorie. Bëhet fjalë për ato femra që janë regjistruar si të papuna në Zyrën e Punës të qytetit të tyre, pra rezultojnë si punëkërkuese.
Për vitin 2016, numri total i femrave që rezultuan si punëkërkuese të papuna ishte 49,735 ose rreth 53% e totalit. Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punës, pjesa më e madhe e kësaj kategorie përfiton ndihmë ekonomike (rreth 61%), ndërsa 6% merr pagesë papunësie.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se 67% e punëkërkueseve të papuna janë kryefamiljare që do të thotë se ato mbajnë edhe peshën e familjes.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se femrat që janë pa profesion dhe që kërkojnë një punë janë më të shumta në numër, mbi moshën 40 vjeç dhe ato që kanë arsim 9-vjeçar.Shumë i ulët (23) është numri i femrave që kanë arsim universitar dhe nuk kanë asnjë burim të ardhurash. Një pjesë e tyre marrin ndihmë ekonomike.