Një javë më parë, reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, u vu në pranga nga Policia së bashku me Dj Crax, si dy të përfshirë në sherrin brutal të ndodhur në Pejë me tiktok-erin Med Isenin.
2 ditë pasi u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës Noizy u arrestua menjëherë së bashku me mikun e tij.Mirëpo kaq ishte! Gjykata e Durrësit e ka liruar reperin me garanci pasurore prej 5 milion lekësh të reja.
Vendimi është marrë sot nga Gjykata dhe sipas parashikimeve ligjore, garancia pasurore duhet të depozitohet brenda një afati 5 (pesë) ditor.
“Shtetasi Rigels Rajku do të qëndrojë me masë sigurimi “arrest në burg”, deri në depozitimin e garancisë pasurore.
Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës, dhe të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim ose konfirmimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Noizy së bashku me këngëtarin tjetër Arkimed Lushaj dhe D.J. Crax dhe disa persona të tjerë akuzohen se kanë dhunuar shtetasin Medi Iseni gjatë një koncerti të zhvilluar në një lokal nate në Pejë.