E ftuar në televizionin Alsat, halla e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka folur për herë të parë pas humbjes së tij. Ajo ndau me publikun kujtimet e saj për karrierën e shkëlqyer muzikore të nipit, për pasionin dhe suksesin që ai arriti në skenën shqiptare. Ajo shprehu me dhimbje të thellë, se Shpati kishte kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje nga kolegët e tij kohët e fundit të karrierës, por kjo nuk kishte ndodhur.
“Ne kemi të gjithë dhimbje, nuk po flas për nënën e Shpatit. Ishte një njeri me virtyte, nuk xhelozoi asnjeri. Ajo që më dhemb më shumë është se Shpati kërkoi, kërkoi bashkëpunime e ndoshta as mesazhet nuk ia kanë lexuar! Sot po bën gjurmë, kjo është krenari. Pse nuk i duam kurrë kur kemi njëri-tjetrin? Kjo është e dhimbshme. Nuk e di si do jetë rruga në vazhdim”, shprehet mes tjerash halla e Shpatit.
Këngëtari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare. Sipas mediave këngëtari ka pësuar arrest kardiak teksa ndodhej në Itali me ish- bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël, për një kontroll mjekësor për këtë të fundit.
Në një intervistë për mediat vëllai i këngëtarit ka deklaruar se Shpati ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze. Në gjendje të rënduar nga lajmi, ai citohet të ketë thënë se ky lajm që u erdhi nga Italia shpresonte të mos ishte i vërtetë, por për fat të keq vdekja e tij u konfirmua. Më tej vëllai i artistit ka shtuar se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por megjithatë nuk ka arritur të mbijetojë.









