Nisma për t’i siguruar një shtëpi Stenaldo Mëhillit po merr përmasa të jashtëzakonshme, duke u shndërruar në një lëvizje të gjerë solidariteti. Pas dhurimit prej 10 mijë eurosh dhe thirrjes publike për mbështetje nga biznesmeni dhe themeluesi i fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, tashmë është hapur edhe një fushatë zyrtare në platformën “GoFundMe”.
Ky hap i ri u ofron mundësinë të gjithë atyre që duan të kontribuojnë për të bërë realitet ëndrrën e Stenaldos për një strehë të sigurt. Vetë Stenaldo ka ndarë këtë iniciativë në profilin e tij në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen fillestare:
“Dua të shpreh falënderimet më të sinqerta për Shaqir Palushin dhe fondacionin Golden Eagle që ndërmorën një iniciativë kaq të fortë mbështetjeje,”– shkruan ai krahas linkut të fushatës.
Mesazhi i Stenaldos shkon edhe më tej: “Në fund bindem që të pranosh vështirësitë, por edhe të kërkosh ndihmë, të bën thjesht të vërtetë. Ju jam mirënjohës, falënderues pa masë, për çdo kontribut.”
Me hapjen e “GoFundMe”, thirrja e Palushit është shndërruar në një mundësi për të gjithë ata që duan të bëjnë një ndryshim konkret në jetën e Stenaldos. Çdokush mund të vizitojë linkun e fushatës dhe të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi human, duke ndihmuar që një ëndërr jetësore të bëhet realitet. Solidariteti dhe mbështetja e komunitetit po tregojnë se së bashku mund të arrihen gjëra të mëdha.









