Në qytetin e Përmetit është inauguruar Qendra Multifunksionale e Vjosës, një hapësirë e re që synon të shërbejë si pikë informimi, edukimi dhe aktivitetesh për vizitorët e Parku Kombëtar i Vjosës.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se kjo qendër përfaqëson një tjetër investim të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe edukimit mjedisor në zonë.
Sipas Kumbaros, qendra hapi dyert në një ditë simbolike, në Ditën Ndërkombëtare të Lumenjve, e cila përkoi edhe me festën tradicionale të Ditës së Verës. Ajo e cilësoi këtë investim si një “xhevahir të ri” për qytetin e njohur si qyteti i trëndafilave.
Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, bashkëpunëtorë dhe miq të projektit.
Qendra e re, e vendosur pranë zonës së njohur si Guri i Qytetit, pritet të kthehet në një pikë kyçe për vizitorët që eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës. Ajo do të shërbejë për informimin e turistëve, promovimin e lumit të fundit të egër në Evropë, si dhe për organizimin e aktiviteteve edukative dhe kulturore.
Sipas ministres Kumbaro, infrastruktura e re do të krijojë mundësi për studime shkencore, programe edukimi mjedisor për fëmijët, si dhe për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Përmet.
“Ta gëzojmë këtë hapësirë të re që i jep parkut një dimension tjetër për njohjen dhe mbrojtjen e Vjosës”, u shpreh Kumbaro në përfundim të mesazhit të saj.









