Mëngjesi i kësaj të enjte ka nisur me debate të ashpra dhe me panik në gjimnazin “Janaq Kilica” të Fierit, ku ka rinisur procesi mësimor një ditë pas sprajit helmues që u hodh në ambientet e shkollës duke bërë që 60 nxënës të përfundojnë në spital.
Prindërit e gjimnazistëve dyshojnë se ka helmime të tjera brenda shkollës. Për këtë ata kanë debatuar me drejtuesit e institucionit arsimor.
Pas disa minuta debat, situata është shtensionuar dhe prindërit janë larguar nga shkolla, por meraku i tyre vijon të mbetet ekzistent lidhur me pasigurinë e fëmijëve në shkollë.
Ndërkohë, policia njoftoi më herët se ka nisur veprimet hetimore ndaj dy nxënësve të kësaj shkolle, A.M, 15 vjeç dhe A.H, gjithashtu 15 vjeç, të cilët dyshohet se kanë hedhur sprajtin helmues në ambiente te brendshme të shkollës.